e mërkurë, 8 shtator 2010

Gerrard: E kemi shkatëruar Zvicrën

Kapiteni i kombëtares angleze, Steven Gerrard, ka zbuluar ngazëllimin e tij pas fitores prej 3-1 ndaj Zvicrës në ndeshjen e mbrëmshme të vlefshme për kualifikimet për Euro 2012.
Wayne Rooney, Adam Johnson dhe Darren Bent që të tre shënuan për ekipin e Fabio Capellos, që tash mban kreun e grupit G.

“Pjesa e parë ishte e përkryer, ne bëmë gjithçka që menaxheri kërkoi nga ne dhe realizuam planin e lojës. Ne disi u bëmë më përtacë në pjeësn e dytë, pasimet nuk ishin mjaft të shpejta dhe ata arritën të kenë kontroll në ndeshje në momente të caktuara. Njerëzit flasin për Zvicrën dhe se sa të mirë ata janë në mbrojtje, por ne i bëmë ata copë-copë”, ka thënë Gerrard.

Prandelli i ngazëllyer me fitoren ndaj Ishujve Faroe

Cesare Prandelli është i ngazëllyer me fitoren prej 5-0 të Italisë ndaj Ishujve Faroe dhe thotë se ai edhe kishte pritur një mbrëmje të lehtë.
Alberto Gilardino, Daniele De Rossi, Antonio Cassano, Fabio Quagliarella dhe Andrea Pirlo, që të gjithë shënuan për t´ia dhënë fitoren e thellë kombëtares italiane.

"Ishte e lehtë pasi e dija se Firenca gjithmonë do të jetë fisnike, fansat kanë qenë gjithmonë me mua dhe andaj e dija se do të ishte një mbrëmje e lehtë".

"A kam pasur frikë? Gjithmonë ka një risk, por lojtarët ishin të mirë pasi e krijuan ritmin dhe ne shënuam gola të hershëm. Cassano është mirë mentalisht dhe bën gjëra të rëndësishme në fushë, veçanërisht në ballë të golit. Prita Gilardino të shënojë dhe jam i lumtur për të. Entuziazmi në ekip gjithmonë po rritet", ka thënë Prandelli.

Loew i kënaqur me sulmin e Gjermanisë

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew, ka lavdëruar kualitetet ofensive të ekipit të tij pas fitores të thellë prej 6-1 ndaj Azerbajxhanit në eliminatoret për Euro 2012.
"Ekipi tregoi lojë të shkëlqyeshme. Është kënaqësi ta shohish këtë lojë përsëri. Po ashtu është gjë e mirë që nuk ndaluam pasi kaluam në epërsi 3-0, por vazhduam të sulmojmë edhe më tej", ka thënë Loew.

I kënaqur me fitoren është shprehur edhe kapiteni Philipp Lahm.

"U shënuan gjashtë gola, andaj sigurisht se mund të jemi të kënaqur. Ekipi jonë duhet të luajë për qejf dhe të shënojë gola. Pavarësisht se pranuam gol, të gjithë mund të jemi të kënaqur", ka thënë Lahm.

Capello lavdëron Rooneyn

Përzgjedhësi i Anglisë në futboll, Fabio Capello, i ka dhënë lëvdata të shumta sulmuesit nën presion Wayne Rooney, pasi sulmuesi i Manchester United, shënoi në ndeshjen eliminatore për Euro 2012 kundër Zvicrës.
Rooney, i cili është nën një vëzhgim të vazhdueshëm nga tabloidet pas spekulimeve për jetën e tij private, shënoi golin e parë për anglezët në fitoren 3-1 të Anglisë ndaj Zvicrës në kuadër të grupit G.

"Mendoj se në pjesën e parë luajtëm një futboll fantastik. Ne e fituam ndeshjen. Ishte vërtet e rëndësishme të fitosh dhe ne luajtëm futboll vërtetë, vërtetë të mirë", ka thënë Capello për Sky Sports.

I pyetur për Rooneyn dhe gjindshmërinë e tij për t´u përballur me presionin, Capello është përgjigjur: "Po, e patë ndeshjen. Mendoj se ai luajti mirë. Ai gjithmonë ka qenë në qendër të lojës, në qendër të lëvizjeve. Mendoj se presioni ishte vërtetë i madh për të, por ai luajti shumë mirë", ka shtuar Capello.

Blanc i kënaqur pas fitores ndaj Bosnjës

Trajneri i Francës, Laurent Blanc, ka qenë tepër i kënaqur me ekipin e tij pas fitores së mbrëmshme ndaj Bosnjë e Herzegovinës.
Francezët arritën të ´rikuperohen´ pas humbjes së javës së kaluar ndaj Bjellorusisë, për të shënuar fitore 2-0 ndaj Bosnjës në eliminatoret për Euro 2012. Blanc tash beson se ekipi i tij luan futboll të mrekullueshëm dhe se i ka merrituar plotësisht të tre pikët.

"Shfrytëzimi jonë i topit ishte shumë i mirë dhe, ndryshe nga ajo çfarë ndodhi të premten [kundër Bjellorusisë], ne kaluam në sulm më shpejt. Fakti se luajtëm thellë, na mundësoi të krijojmë hapësirë dhe kemi lojtarë në front si Karim, të cilët e duan hapësirën. Ne arritëm një rezultat të shkëlqyeshëm sonte", ka thënë Blanc për AFP.

Gauçosët i japin leksion kampionit

Argjentina e ka mposhtur Spanjën me rezultat 4-1 në miqësoren e zhvilluar në Buenos Aires.
Duket se ka funksionuar taktika e dyfishtë e Sergio Batistas, me përqëndrim 4-1-4-1 kur Spanja posedonte topin, ndërsa në fazën sulmuese taktika zhvendosej në 4-3-3. Spanja u duk e çorientuar, ndërsa roli i ri i Lionel Messit është treguar i suksesshëm.

Ishte pikërisht ylli i Barcelonës që pas dhjetë minutash lojë zhbllokoi rezultatin. Tre minuta më pas, Gonzalo Higuain e dyfishoi rezultatin (13’), ndërsa Tevez e likuidoi kampionin e botës ende pa kaluar mirë gjysmë ore lojë, kur realizoi golin e tretë për Argjentinën (34’).

Fernando Llorente shënoi golin e nderit për Spanjën (84’), kurse Kun Aguero e vendosi rezultatin përfundimtar prej 4-1, duke e turpëruar kampionin e Evropës dhe botës.

Portugalia pëson, Franca fiton

Franca u është kthyer fitoreve dhe atë në transfertën e vështirë ndaj Bosnjës, ndërsa Portugalia nuk di për fitore, pasi që ka pësuar disfatë nga Norvegjia në Oslo. Italia ka deklasuar Ishujt Faroe.
Ishin golat e Karim Benzemas (72’) dhe ai i Florent Maloudas i cili shkëlqeu (78’), që finalizuan kapitulimin e Bosnjës para tifozëve të vet. Në Grupin D prin Shqipëria me shtatë pikë ashtu si Bjellorusia, por me golaverazh më të mirë.

Italia ka shkatërruar Ishujt Faroe në udhëtim me rezultat 5-0, me golat e Gilardinos (12’), De Rossit (22’), Cassanos (27’) dhe me ata të pjesës së dytë të shënuar nga Quagliarella (81’) dhe Andrea Pirlo (90’). Italia kryeson në Grupin C me 6 pikë nga dy ndeshje.

Portugalia u mposht minimalisht në transfertë te Norvegjia, me anë të golit të Huseklepp (21’). Portugezët definitivisht do të kenë probleme për t’u kualifikuar në Euro 2012, pasi që pas dy ndeshjeve ka arkëtuar vetëm një pikë.

Suedia dhe Holanda vazhdojnë me fitore

Kombëtarja e Suedisë ka shënuar fitore të thellë prej 6-0 kundër San Marinos, derisa Holanda dhe Hungaria kanë mposhtur me rezultate identike prej 2-1, kundërshtarët e tyre respektivë në kuadër të Grupit E, Finlandën dhe Moldavinë.
Zlatan Ibrahimovice filloi serinë e golave për Suedinë (7’), e që u pasua me dy autogola të Davide Simoncini (12’) dhe Aldo Junior Simoncini (26’), për të mbyllur pjesën e parë me rezultat 3-0.

Edhe në pjesën e dytë skandinavët shënuan tri herë, ndërsa realizues ishin Andreas Granqvist (51’), sërish Ibrahimovic (77’) dhe Marcus Berg (90’), i cili realizoi golin e gjashtë.

Ndërkohë, Klaas-Jan Huntelaar (7’ dhe 16’) ishte heroi i ‘Tulipanëve’ në fitoren prej 2-1 ndaj Finlandës, derisa golin e vetëm për mysafirët e realizoi Mikael Forssell (18’).

Gjermania shkel Azerbajxhanin, Turqia mposht Belgjikën

Përfaqësuesja e Gjermanisë ka shënuar fitore të lartë prej 6-1 kundër Azerbajxhanit për të marrë kreun e Grupit A me pikë të barabarta me Turqinë që e mposhti Belgjikën me rezultat 3-2.
Heiko Westermann (28’), Lukas Podolski (45’+1), Miroslav Klose (45’+2 dhe 90’+2), Rashad Sadygov (autogol 53’) dhe Holger Badstuber (86’)- ishin realizues për Gjermaninë, ndërsa golin e nderit për mysafirët e shënoi Rail Melikov (57’).

Ndërkohë, Turqia me golat e Hamit Altıntop (48’), Semih Şentürk (67’) dhe Arda Turan (78’) mposhti Belgjikën që realizoi dy herë me anë të Daniel Van Buyten (28’).

Nga ky grup fitore ka shënuar edhe Austria që mposhti Kazakistanin me dy gola të shënuar në fund të takimit.

Shaqiri shënon ndaj Anglisë

Anglia ka mposhtur Zvicrën në sfidën kryesore të kualifikimeve për Euro 2012 në Bern, me rezultat 3-1, ku shënues ishte dhe një nga tre kosovarët në përfaqësuesen helvetike.
Wayne Rooney iu rikthye golave pas dhjetë minutash lojë, me asistimin e Glen Johnson.

Me të filluar pjesa e dytë, në lojë inkuadrohet Xherdan Shaqiri, i cili në minutën e 71-të befasoi Anglinë me një supergoditje nga distanca, për ta lënë të gozhduar portierin e Manchester Cityt, Joe Hart. Por, dy minuta para se të realizonte Shaqiri, Adam Johnson kishte shënuar për dyfishimin e rezultatit.

Fundin takimit ia ka vënë Darren Bent, i cili dy minuta para fundit të takimit realizoi për rezultatin përfundimtar 3-1.

e martë, 7 shtator 2010

Shqipëria mposht Luksemburgun

Kombëtarja kuqezi ka shënuar fitore minimale prej 1-0 përballë Luksemburgut, për t’u ngjitur në krye të Grupit D me pikë të barabarta me Bjellorusinë.
Shqipëria ishte skuadër dominuese gjatë gjithë ndeshjes, megjithatë nuk arriti të argëtojë tifozët me më shumë gola.

Goli i fitores erdhi në minutën e 37-të, kur pas një aksioni në zonë, Hamdi Salihi mposhti portierin mysafir. Ishte ky një gol mjaft i bukur, i cili kurorëzoi një aksion tejet mirë të organizuar nga përfaqësuesja shqiptare.

Ndeshja në vazhdim ishte tepër e zbehtë, me mysafirët nga Luksemburgu që u treguan më të rrezikshëm përballë portierit Arian Beqaj. Sidoqoftë, në fund fituesi ishte i qartë.

Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në kuotën e katër pikëve po aq sa ka Bjellorusia që barazoi pa gola kundër Rumanisë. /

Ancelotti: Kurrë nuk bëhem mik me Mourinhon

Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka thënë se ai është ende në gjendje lufte me ish-trajnerin e Interit, Jose Mourinho.
“Para ndeshjes në Ligën e Kampionëve mes Interit dhe Chelseat, ne bëmë pakt. Ne u takuam në korridoret e San Siros ku dhe arritëm një marrëveshje. Jo më polemika apo drama”.

“Ne kurrë nuk e pëlqyem njëri tjetrin, por që nga koha kur kam ardhur në Angli, pikëpamjet e mia ndryshuan. Kur e fitova Ligën Premier ai më dërgoi një tekst mesazh dhe unë ia dërgova një tjetër kur ai e fitoi Scudetton. Nuk mendoj se ne mund të bëhemi ndonjëherë miqë, por ekziston respekt reciprok i sinqertë për njëri tjetrin”, deklaroi ‘Carlito’

Vermaelen: Cesc e ka Barcën në ADN

Mbrojtësi i Arsenalit, Thomas Vermaelen, ka zbuluar se Cesc Fabregas kërkoi të kalonte te Barcelona.
“Cesc e ka Barcelonën në zemër, në ADN-në e tij…për këtë arsye është e pamundur që ai t’i harrojë ata”.

“Ai kërkoi të kalonte te Barca verën e kaluar, këtë e bëri të ditur në zhveshtore. Por, ajo është e kaluar. Tani ai është 100% i gatshëm për një sezon të mrekullueshëm me Arsenalin”, ka thënë Vermaelen.

Marotta: Merkato e mirë për Juven

Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta, ndjen se klubi nuk ka mundur të bëjë më shumë në tregun e transferimeve.
“Ne jemi në gjendje që t’i arrijmë të gjitha pritjet që i dizajnuam. Ndonjë transfer i çuditshëm? Jo. U spekulua gabimisht dhe ne e kemi lënë me aq”.

“Juventusi është klub i madh që do të kalojë nëpër një fazë të rinovimit dhe është një proces i ngadalshëm në krahasim me kompletimin e një revolucioni”.

“Ne e kemi zvogëluar moshën mesatare të ekipit nga këndvështrimi ekonomik. Ne kemi bërë gjithçka për të na u përshtatur ekonomikisht”, deklaroi Marotta.

Haye-Harrison, përballja e britanikëve

David Haye do ta mbrojë për të dytën herë titullin e tij WBA, kundër britanikut Audley Harrison, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike të vitit 2000.
“Nuk besoj që Audley meriton një rast, por shumë njerëz dëshirojnë ta shohin atë përfundimisht të shkatërruar, prandaj po ndodh kjo përballje”, ka deklaruar Haye.

Ndërsa Harrison u shpreh: “Jam në ekstazë që kam një rast për titull. Kur do ta godas me dorën e majtë, ai do të marrë fund”.

Lufta do të ndodhë më 13 nëntor në MEN Arena të Mançesterit, ndërsa do të jetë përballja më e madhe në mes britanikëve, që në kohën kur Lennox Lewis mbrojti titullin e tij WBC duke penguar Frank Brunon që t’ia marrë atë në vitin 1993 në Cardiff.

Mazzola: B45 te Napoli do ishte si Maradona

Legjenda e Interit, Sandro Mazzola, beson se Mario Balotelli është dashur që t’i bashkohej Napolit në vend të Manchester Cityt.
“Për Balotelin, Napoli do të ishte zgjedhja më e mirë, gjithnjë sipas mendimit tim, pasi që ai do t’ua kujtonte njerëzve Maradonën. Ai luan futboll të jashtëzakonshëm, por gjithçka varet nga qëndrimi i tij”.

“Cavani është lojtar i rëndësishëm, por nuk do ta shisja Fabio Quagliarellan. Unë e njoh atë me vite të tëra dhe ai do të ishte tejet i dobishëm për napolitanët”, ka thënë Mazzola.

United dhe Liverpool të kërkojnë Benzeman

Gjigantët e Ligës Premier, Manchester United dhe Liverpooli, janë duke planifikuar lansimin e ofertave të tyre në drejtim të Real Madridit për sulmuesin francez, Karim Benzema.
Sipas AS, Jose Mourinho dyshon në aftësitë e Karim Benzemas dhe në faktin se sa do të jetë ai i dobishëm në sezonin e parë të tij si strateg i Interit.

Nga ana tjetër, interesimi i Ferguson për Benzeman tashmë është i njohur, por inkuadrimi i Liverpoolit mund të quhet i befasishëm, pasi që The Reds po kanë telashe financiare edhe pse u duhen përforcime.

US Open, Federer në çerekfinale

Roger Federer ka vazhduar rrugën drejt finales së US Open me një fitore të pastër (6-3, 7-6 dhe 6-3) kundër tenistit të 13-të bë botë, Jurgen Melzer.
Pesëherë kampioni i kësaj gare ishte në formë të mirë dhe me lehtësi fitoi të tria setet, ndërsa në çerekfinale do ta ketë kundërshtar tenistin pestë në botë Robin Soderling, i cili në raundin e katërt eliminoi spanjollin Albert Montanes me rezultat 4-6, 6-3, 6-2 dhe 6-3.

Nga ana tjetër, Gael Monfils u bë francezi i parë që pas dhjetë vitesh arrin në çerekfinale të US Open, pas fitores prej 3-0 (6-4, 7-5 dhe 7-5) ndaj bashkëkombësit të tij Richard Gasquet. Në çerekfinale, Monfils do ta ketë kundërshtar serbin Novak Djokovic.

Sonte në DigiGold: Miqësorja Argjentinë – Spanjë

Sonte zhvillohet ndeshja miqësore mes Argjentinës dhe Spanjës. Adhuruesit kosovarë të futbollit do të mund të shohin ndeshjen drejtpërdrejtë në televizionin kabllor digjital IPKO, përkatësisht në kanalin DigiGold. Spektakli sportiv është një event pay-per-view.
Trajneri i ri Argjentinës, pasardhësi i Diego Armando Maradonas, Sergio Batista, është duke kërkuar të krijojë një ekip me vizion të ri për futbollin argjentinas. Me shpresat e fanatikëve të futbollit në vend, trajneri Batista me të vërtet do të duhet të japë maksimumin që të dëshmohet si trajner për skuadrën e Argjentinës.

Për më shumë, trajneri 47 vjeçar i cili fitoi Kupën e Botës me Argjentinën, u ka thënë gazetarëve: “Të dy ekipet kombëtare kanë lojtarë shumë të mirë, të cilët kanë kontroll të jashtëzakonshëm të topit, ata gjithashtu kanë stil të njëjtë në sulm. Stili i sulmit të Spanjës dhe Argjentinës është i ngjashëm. Kjo Argjentinë shumë lehtë mund të luajë ngjashëm sikur Spanja”.
Lojtari më i famshëm i Argjentinës, Lionel Messi theksoi rëndësinë e ruajtjes së posedimit të topit dhe shpjegoi: "Kjo është një lojë e madhe, dhe ne jemi me fat që kemi rastin të luajmë. Unë jam i sigurt se do të jetë një ndeshje e hapur, pasi që Spanja luan futboll me posedim të topit dhe sigurisht se do të na lejojë edhe neve ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Messi.

Formacioni i mundshëm i Argjentinës: Romero; Zanetti, Samuel, Milito, Heinze; Mascherano, Cambiasso; D'Alessandro; Messi, Milito, Tevez.
Formacioni i mundshëm i Spanjës: Casillas; Ramos, Pique, Marchena, Capdevila; Xavi, Alonso, Busquets, Iniesta; Villa, Torres.

Abonuesit e televizionit kabllor digjital IPKO mund ta porosisin ndeshjen miqësore, duke dërguar numrin e smart-kartelës së tyre me një SMS të vetëm, në numrin 4042.

Krkic i kënaqur me largimin e Ibrës

Sulmuesi i Barcelonës, Bojan Krkic, është shprehur tejet i gëzuar me largimin e Zlatan Ibrahimovic nga Camp Nou, pasi që sipas sulmuesit spanjoll, tani pa Ibrën ai do të ketë më shumë minuta lojë.
“Pa Zlatan Ibrahimovicin, minutat e mija do të rriten, jo vetëm për mua, por për të gjithë, sepse tani ka më pak sulmues”.

“Zlatan është lojtar i nivelit të lartë dhe do të ishte më e komplikuar nëse ai do të qëndronte. Unë preferova t’i fokusohesha vetes dhe t’u besoj aftësive të mia dhe mundësive që do t’i kem këtu”, deklaroi Krkic.

Allegri i gatshëm për suksese

Trajneri i Milanit, Massimilano Allegri, është shfaqur të jetë i gatshëm për suksese të shpejta me skuadrën e tij.
“Ne filluam mirë këtë vit, ashtu si lojtarët. Unë besoj se ne do të bëjmë diçka me rëndësi”.

“Tepër përgjegjësi? Kjo është normale, por unë gjithmonë do të jap maksimumin. Të drejtoj këtë ekip pasi presidenti bëri përforcime aq të mëdha, është e mrekullueshme. Ne duhet të synojmë gjithçka, sidomos tani. Unë e prita që klubi ta blej një kampion, është në ADN-në e Milanit”, deklaroi Allegri.

Cruyff: Problemet në bord mund të ndikojnë në ekip

Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, ka shprehur frikën e tij se telashet brenda përbrenda bordit të Barcelonës, mund të reflektojnë në lojën e skuadrës katalanase.
“Unë nuk e di nëse problemet janë duke rrjedhur tani brenda skuadrës dhe nuk e di shkallën e të së vërtetës së këtyre spekulimeve, por nëse gjithçka bëhet fjalë për arsye josportive, atëherë kjo mund të përfundojë vetëm me lot”.

“Po ka tepër zëra për çështje josportive, të cilat më bëjnë skeptik për të ardhmen. Nuk besoj se gjithçka nën menaxhmentin e Laportas ishte negative. Unë jam i sigurt se ka pasur shumë gjëra pozitive”, deklaroi Cruyff.

Reali të kërkojë Schweinin

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk është duke e humbur kot kohën e lirë, pasi që është duke planifikuar transferimin e mesfushorit të hekurt gjerman, Bastian Schweinsteiger.
Sipas Bild, kjo lëvizje e Realit është shtyrë përkohësisht për vitin e ardhshëm, pasi që tani siç dihet madrilenët transferuan dy gjermanët tjerë, Mesut Ozil dhe Sami Khedira.

Bastian Schweinsteiger është i kërkuar edhe nga kampioni aktual i Evropës, Interi, ndërsa vlera e tij thuhet se është rreth 50 milionë euro.

Giggs i hapur për Uellsin

Legjenda e Manchester United, Ryan Giggs, ka këmbëngulur se ai do të dëshironte që një ditë ta menaxhonte Uellsin.
“Nëse i hyni menaxhmentit, punë e madhe do ishte nëse do ta drejtoje vendin tënd. Dhe unë nuk jam ndryshe në aspektin e të menduarit të kësaj. Për momentin është e vështirë, sepse unë ende kam obligime si lojtar”.

“Por, unë gjithnjë e përdori situatën e Mark Hughes. Një minut ai luan për Uellsin dhe për Blackburnin dhe gjëja e radhës që kuptoni, është se ai po e menaxhon vendin e tij. Hughes kurrë nuk e planifikoi këtë”, deklaroi Giggs për The Telegraph.

Toure: Tevez, kapiten si Maradona

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Kolo Toure, ka shpjeguar arsyet prapa dhënies së shiritit të kapitenit te Tevezi, duke thënë se sulmuesi mund të jetë më i përfshirë, ashtu siç bëri Maradona te Napoli.
“Unë isha bërë kapiten i Manchester Cityt nga ish-menaxheri, Mark Hughes, pak pas arritjes time nga Arsenali. Kur Roberto Mancini erdhi në krye, unë vazhdova ta luaj atë rol deri në fund të sezonit, ndërsa gjithçka shkoi mirë”.

“Në fillim të sezonit të ri, Mancini erdhi tek unë dhe më tha se ai dëshiroi që ta emëronte Carlos Tevez si kapiten të ri, në mënyrë që të jetë më i përfshirë në ekip, sikurse që bëri Maradona te Napoli. Unë pranova që Tevez të bëhet kapiten, gjithë këtë në emër të paqes dhe të përparimit për klubin”, ka thënë Toure.

Aragones: Reali më pranë Atleticos dhe Valencias, se sa Barcës

Ish-përzgjedhësi i Spanjës, Luis Aragones, ka thënë se Real Madridi është një hap të madh larg nivelit të Barcelonës, në garën për titull në La Liga këtë edicion.
“Barcelona është më e mirë se pjesa tjetër dhe është favorite. Unë e shoh Real Madridin në vendin e dytë, por larg prapa. Atletico Madrid dhe Valencia mund të jenë të nivelit të Realit”, theksoi Aragones.

Kjo deklaratë vjen në kohën kur Jose Mourinho ka filluar hapur luftën e tij me mediumet në Spanjë, së cilës tani pritet t’i bashkohet edhe Luis Aragones.

Moratti i befasuar me pesimizmin e fansave

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i befasuar nga pesimizmi i fansave Nerazurë.
Milani u përforcua dukshëm gjatë afatit të fundit kalimtar, pasi Rosonerët sollën Ibarhimovic dhe Robinhon, dhe u shndërruan në një kandidat të fuqishëm për Skudeto. Në anën tjetër, Interi ishte aktiv në tregun e transferimeve, pas të cilës u paraqit një pesimizëm te fansat e kampionit të Evropës.

“Kemi vendosur të mos blejmë me çfarëdo çmimi, por vetëm nëse mendojmë se ajo marrëveshje vlen të bëhet. Kemi fituar gjithçka, kjo nuk ka ndodhur para dhjetë viteve, por para dy muajsh. Nuk e kuptoj pesimizmin e disa njerëzve. Kuptohet, nëse është nevojshme në janar do të intervenojmë në treg, do ta bëjmë këtë pa problem”, ka thënë Moratti për Corriere dello Sport.

Kuze ka frikë nga Bjellorusia

Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, Josip Kuze, mendon se Bjellorusia është favorite kryesore në grupin D të eliminatoreve për Euro 2012, grup në të cilin bën pjesë edhe Shqipëria.
Kuqezinjtë sot do të kërkojnë tre pikë nga sfida ndaj Luksemburgut, për të qëndruar në garë për kreun e tabelës së grupit D. Pas rundit të parë të ndeshjeve, në të cilën Shqipëria nxori një pikë ndaj Rumanisë, Kuzhe thotë se nga ajo çfarë ka parë në javën e parë, Bjellorusia është skuadra më e organizuar në grup.

“Nuk e di ç’do të ndodhë në grupin tonë. E kam thënë që kur u hodh shorti, se shumë skuadra do të humbasin pikë rrugës. Nuk besoj se do të ketë skuadra që do të fitojnë 80 90 për qind të pikëve”, ka thënë Kuzhe siç përcjell Sporti Shqiptar.

“Në këtë situatë, ne luajmë shansin tonë. Të gjitha ekipet në këtë grup janë shumë të mira. Marr shembull Bjellorusinë, që është skuadër shumë e mirë. E pashë në ndeshjen me Francën. E pashë edhe në Austri. Jam i bindur se Bjellorusia është një skuadër më e organizuar se Rumania. Në këtë situatë nuk e di cila skuadër do të bëjë diferencën”, ka shtuar kroati.

Milan tejkalon Interin me harxhime vjetore

Milani raportohet se është para Interit me faturat e pagave në listën e klubeve italiane, shkruan La Gazzetta dello Sport.
La Gazzetta dello Sport ka bërë një studim të detajuar të harxhuesve më të mëdhenj italianë, me Milanin që tash mban kreun. Arritja e Robinhos dhe Zlatan Ibrahimovic ka rritur harxhimet e Rosonerëve, ndërsa largimi i Jose Mourinhos në anën tjetër ka ndihmuar uljen e harxhimeve të Interit.

Harxhimet e Milanit tash janë më të mëdhatë në Serie A me klubin e Silvio Berlusconit që harxhon në vit një shumë prej 130 milionë euro, e që është 10 milionë më shumë se Interi.

Juventusi është harxhuesi i tretë më i madh në Serie A me 100 milionë euro, pavarësisht largimit të lojtarëve me paga të larta si David Trezeguet dhe Diego.

Juve do ta shesë Sissokon për të transferuar Diarra

Juventusi është duke planifikuar ta huazojë mesfushorin Mohammed Sissoko te Wolfsburg dhe të transferojë Lassana Diarra nga Reali i Madridit në muajin janar, bën të ditur Tuttosport.
Sissoko pritej të largohej nga klubi gjatë kësaj vere, por afati kalimtar përfundoi dhe Juventusi nuk ishte në gjendje të mbyllë marrëveshjen me klubin gjerman, që ofroi 8 milionë euro për lojtarin.

Megjithatë, negociatat pritet të rifillojnë në vitin e ri dhe sapo Sissoko të kalojë në Bundesliga, Juve do të shfrytëzojë shansin për të transferuar Diarra.

Lojtari i Realit të Madridit është kandidat për të luajtur nën urdhrat e trajnerit Luigi Del Neri, por gjithçka do të varet nga situata e Sissokos. Juventusi i kishte paguar 12 milionë euro Liverpoolit për të transferuar lojtarin e përfaqësueses së Malit.

Interi kërkon Gareth Bale

Mbrojtësi i Tottenhamit, Gareth Bale, është në planet e trajnerit të Interit, Rafael Benitez.
Presidenti Massimo Moratti konfirmoi se politika e re do të bazohet në transferimin e lojtarëve të rinj dhe dha shenja se do të ketë arritje të reja në vitin e ri.

La Gazzetta dello Sport tash shkruan se përforcimi i ri i Nerazurëve do të jetë mbrojtësi i majtë uellsian, Bale, i cili pëlqehet nga trajneri Rafael Benitez.

Megjithatë, çmimi i tij prej 17 milionë euro i 21-vjeçarit mund të jetë një problem për Interin, që ka qenë i kujdesshëm sa i takon harxhimeve.

Kampioni i Evropës do të mundohet ta përfshijë Sulley Muntarin si pjesë të marrëveshjes, për të ulur çmimin e lojtarit. Luca Antonelli nga Parma dhe Gokhan Inler nga Udinese, po ashtu janë në listë.

Malouda: Chelsea gjithmonë zgjidhja ime e parë

Florent Malouda i cili ka tregur paraqitje të shkëlqyeshme nën drejtimin e Carlo Ancelottit, zbulon se para se të vijë në Chelsea, ai kishte pasur oferta edhe nga Liverpooli dhe Real Madridi, por ai nuk ka pasur dyshime për të zgjedhur ekipin londinez.
"Liverpooli ishte klubi i parë i cili dërgoi ofertë. Lyoni kishte raporte të mira me Real Madridin, andaj ata më thanë të shkoj atje, por zgjidhja ime e parë ishte Chelsea".

"Kur Drogba nënshkroi për Chelsean, unë disa herë erdha në Stamford Bridge, aty ishin edhe Makelele dhe Michael Essen. Mendova, nëse vij në Angli, ky do të jetë vendi ku do të ndjehem komod dhe ku do të ketë atmosferë që do të më ndihmojë të luaj mirë", ka thënë Malouda.

Ancelotti nuk është i interesuar në jetën private të lojtarëve

Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka kritikuar mediat angleze, për të qenit shumë të bezdisshme me jetën private të lojtarëve dhe thotë se ai nuk është i interesuar në atë se çfarë bëjnë lojtarët e tij jashtë fushe.
“Nuk jam i interesuar në jetën private të lojtarëve të mi. Nuk është pjesë e punës tuaj kjo. Mendoj se jeta private duhet të jetë, jetë private”, ka thënë Ancelotti për BBC

Në javën e kaluar që të dy lojtarët e kombëtares angleze, Ashley Cole dhe Wayne Rooney, dominuan mediat për çështje private, ndërsa më herët edhe kapiteni i Chelseat, John Terry, po ashtu ka qenë subjekt i temave private në mediat angleze.

“John Terry ishte në gjendje t’i mbajë problemet private jashtë fushës së stërvitjes dhe për këtë arsye ai mbetet kapiten i Chelseat”.

“Mediat janë shumë të bezdisshme, por kështu është kultura e këtij vendi. Kjo nuk është mirë për mendimin tim. Por ka edhe gjëra të mira këtu, ka një atmosferë fantastike futbolli, nuk ka dhunë dhe njerëzit vijnë për të parë ndeshjet për t’u kënaqur, që është krejt ndryshe nga Italia”, ka shtuar Ancelotti.

Zidane: Mourinho mund ta mposhtë Barcelonën

Legjenda e Real Madridit, Zinedine Zidane, thotë se Jose Mourinho mund t’i sjellë trofe klubit mbretëror.
Zidane ka deklaruar se Mourinho ka sjellë në Madrid atë pjesë që mungonte dhe ai pret që klubi të bëjë diçka të madhe këtë sezon.

“Nuk e kam parë ndeshjen ndaj Mallorca, isha jashtë, por Madrid ende është duke u përgatitur. Mourinho na ka sjellë atë që ka munguar në ekip. Barcelona po ia del mirë, por këtë vit Madrid mund të arrijë diçka të rëndësishme”, ka thënë Zidane për sportiven AS.

US Open, Clijsters, Venus dhe Wozniacki në çerekfinale

Kampionia në fuqi e US Open, Kim Clijsters, e ka demoluar serben Ana Ivanovic me rezultat 2-0 në sete (6-2 dhe 6-1), për të siguruar çerekfinalen e kësaj gare.
Nga ana tjetër, Venus Williams e pati të vështirë në setin e parë kundër izraelites Shahar Peer, mirëpo amerikania arriti të fitojë me rezultat 7-6 dhe 6-3.

Në çerekfinale Clijsters do të përballet me Samantha Stosur, derisa Williams do ta ketë kundërshtare kampionen e French Open, Francesca Schiavone.

Ndërkohë, Caroline Wozniacki mposhti rusen Maria Sharapova me rezultat 6-3 dhe 6-4, ndërsa në çerekfinale do të luajë përballë Dominika Cibulkovas, e cila eliminoi Svetlana Kuznetsovan.

Nadal dominon përballë Simon


Tenisti numër një në botë, Rafael Nadal, me lehtësi ka siguruar kualifikimin në raundin e katërt të US Open, pas fitores prej 3-0 (6-4, 6-4 dhe 6-2) përballë Gilles Simon.
Spanjolli 24-vjeçar në raundin tjetër do të ketë për kundërshtar bashkëkombësin e tij Feliciano Lopez, i cili u kualifikua pasi Sergiy Stakhovsky u detyrua të tërhiqet si pasojë e një infeksioni.

Sam Querrey e shokoi tenistin e 14-të në botë Nicolas Almagro me rezultat 6-3, 6-4 dhe 6-4, për të siguruar përballjen ndaj zviceranit Stanislas Wawrinka, i cili eliminoi Andy Murrayn. Ndërkohë, Fernando Verdasco mposhti David Nalbandian.

US Open, Murray i paqartë pas eliminimit


Britaniku Andy Murray nuk ka ditur si të shpjegojë problemet fizike që pati në ndeshjen përballë zviceranit Stanislas Wawrinka, e që i kushtuan me eliminim nga US Open me rezultat 6-7. 7-6, 6-3 dhe 6-3.
Tenisti i katërt në botë nuk mund të lëvizte lirshëm pasi kërkoi trajtim të kofshës në setin e tretë dhe të qafës në të katërtin. Megjithatë ai nuk ishte i qartë në shpjegimin e asaj që ndodhi.

“Akoma ndjehem se jam në super-formë, thjeshtë nuk ndihesha mirë. Kishte shumë gjëra që ndjeja në terren, por nuk isha ndier ashtu për shumë vite, prandaj më duhet të shikoj pse ndodhi ashtu dhe të tentoj të bëhem më mirë”, tha Murray.

e hënë, 6 shtator 2010

Cana: Do të japim maksimumin për fitore


Mesfushori kuqezi Lorik Cana ka thënë se përfaqësuesja e Shqipërisë nuk ka eufori pas barazimit sensacional kundër Rumanisë, dhe se është e vendosur që të shënojë fitore në përballjen e radhës në kuadër të Grupit D, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2012.
Të martën mbrëma kombëtarja shqiptare do të luajë kundër Luksemburgut, ndërsa Cana u premton tifozëve se skuadra do të japë gjithçka në fushë për të grumbulluar pikët maksimale.

Sipas kosovarit, ndeshja ndaj Luksemburgut do të jetë ndryshe nga ajo kundër Rumanisë, pasi këtu Shqipëria duhet ta menaxhojë lojën.

Mesfushori i Galatasarayt nuk ka dashur të paragjykojë rezultatin, por ka thënë se përfaqësuesja kuqezi do të japë maksimumin për të fituar.

Ancelotti: Menaxher i Anglisë? Pse jo!

Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, do të shqyrtonte mundësinë e drejtimit të kombëtares angleze, përkundër faktit se ai dëshiron që të përsërisë kohën e qëndrimit të Sir Alex Ferguson te United, por te Chelsea.
“Ta drejtoj Anglinë? Pse jo? Por jo tani, tani për tani dëshiroj të qëndroj te Chelsea aq gjatë sa Ferguson te United. Pas kësaj, mendoj se e ka radhën kombëtarja”.

“Unë jam serioz, për 24 vite do të jem 75 vjeçar dhe nuk e di nëse do të jem në gjendje ta menaxhoj kombëtaren”, tha ‘Carlito’.

Capello: Rooney luan ndaj Zvicrës


Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, ka deklaruar se Wayne Rooney është i gatshëm që të luajë nga fillimi ndaj Zvicrës, përkundër problemeve të shumta të fundit në jetën e tij private.
“Po, ai do të luaj. Unë fola me të dhe unë e monitorova atë gjatë dy ditëve pas ndeshjes ndaj Bullgarisë dhe ai është vërtet, vërtet i mirë në fushë. Ai do të jetë në situatë të mirë nesër, sepse unë shpresoj se paraqitja e Rooneyt do të jetë e njëjtë ashtu si në Wembley”.

“Unë fola me të dhe ai është i kënaqur që do të luaj. Kur e di se lojtarët duan të luajnë, është vërtet me rëndësi për mua”.

“Lojtarët e dijnë se çfarë të bëjnë në jetën private. Është jeta e tyre private. Lojtarët e dijnë se çfarë kërkoj zakonisht prej tyre dhe është me rëndësi paraqitja në fushë. Është më mirë t’i ndajmë momentet e ndryshme”, ka thënë Capello.

Menezes lë dyert e hapura për Dinhon


Përzgjedhësi i Brazilit, Mano Menezes, ka bërë të ditur pozicionin e tij në raport me Ronaldinhon, të cilit i ka lënë dyert e hapura për një rikthim në kombëtare.
“Ronaldinho në kombëtare? Unë po punoj për Botërorin 2014. Dinho nuk është i moshuar dhe kurrë nuk do të jetë i tillë për Brazilin”.

“Cilësitë e tij nuk mund të vihen në pikëpyetje dhe sezoni i tij i fundit te Milani ishte i mirë, por dy apo tre te kaluarat ishin të dobëta. Nëse ai do të rikthehet në formën më të mirë, atëherë do ta ftoj në kombëtare”, deklaroi Menezes për La Gazzetta dello Sport.

Silva: Ose LK, ose Scudetto


Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, është i sigurt se klubi do të luftojë për trofe të ndryshëm, por ai nuk di të zgjedhë mes Scudettos dhe Ligës së Kampionëve.
“Kubi ka pasur merkato fantastike. Unë nuk dua të them se ne do ta fitojmë Ligën e Kampionëve apo Scudetton, por ne do të arrijmë një prej këtyre objektivave”.

“Si mbrojtës që jam, do të doja të shihja Alexandre Paton, Ronaldinhon, Robinhon dhe Ibrahimovicin të luajnë së bashku. Unë gjithashtu jam i gatshëm që të luftoj dhe të shënoj disa gola”, deklaroi Thiago Silva.

e enjte, 29 korrik 2010

Lojë e ndyrë po luhet me Maiconin

Agjenti i Maicon ka thënë se zgjatja e sagës së transferimit të Maiconit te Real Madridi, është shkaktuar nga dikush që po luan një lojë të ndyrë.
“Një nga arsyet që ky transfer po merr aq kohë të gjatë është për shkak se dikush po luan një lojë të ndyrë. Herët apo vonë e vërteta do të zbulohet dhe ne do të dimë se kush e ka ngrirë transferimin”.

“Unë shpresoj që dikush të marrë ndonjë hap vendimtar dhe kjo çështje të zgjidhet në ndonjë mënyrë. Ne të gjithë e dimë se Maicon ka kontratë me Interin dhe se presidenti Massimo Moratti do të shqyrtojë ofertat që u përshtaten kërkesave të tij. Unë kam marrëdhënie të mira me Realin dhe mund t’iu them se ata kurrë nuk më kanë thënë që kërkesat financiare të Interit janë problemi tek transferimi i Maicon”, u deklarua Antonio Caliendo për AS.

Ibra: Spekulimet? Si të shiten ndryshe gazetat...

Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, ka shpërthyer në mënyrë sensacionale duke thënë se ai ka mbështetjen e trajnerit Pep Guardiola, duke hedhur poshtë spekulimet të cilat e bënin atë lojtar të klubeve, si Milani apo Manchester City.
“Guardiola më ka thënë se jam lojtar i rëndësishëm i skuadrës dhe unë e kuptova këtë si fakt që do të luaj. Nëse nuk jeni i rëndësishëm, atëherë nuk luani”, theksoi Ibra.

Ibra më pas e lëvdoi kolegun e tij David Villa, duke thënë se është një prej sulmuesve më të mirë në botë dhe që e bën Barcën ekip më të fortë, por përjashtoi mundësinë e garimit me të për një vend në njëmbëdhjetëshin e parë.

“Jam në dijeni që klubet janë të interesuara për mua. Kjo do të thotë se kam bërë diçka për këto komente, por kjo nuk më ka prekur mua. Kur luani në nivelin më të lartë, atëherë spekulime ka çdo ditë sepse ndryshe nuk shiten gazetat. Unë kam edhe katër vite kontratë me Barcelonën. Është lëvdatë e mirë që klubet tjera janë të interesuara në mua, por jam shumë i lumtur te Barcelona dhe vetëm shpresoj të qëndroj këtu”, përfundoi ‘Ibracadabra’.

Bayerni ofron dy lojtarë për Dzekon

Bayerni është tejet i interesuar për shërbimet e sulmuesit të Wolfsburgut, Edin Dzeko dhe është i gatshëm t’u ofrojë Ujqve dy lojtarë të rëndësishëm.
Javën e kaluar Louis Van Gaal e quajti Dzekon lojtar të vlefshëm, por shtrohet pyetja se sa vlen vërtet Dzeko? Spekulohet se Bayerni dëshiron ta ofrojë Mario Gomezin (i transferuar për 35 milionë euro te Bayerni) dhe Anatoly Tymochcuk (i transferuar për 15 milionë euro te Bayerni) në paketën për Dzekon.

Për Dzekon janë të interesuar skuadra si Milan, Juventus dhe Manchester City, ndërsa Wolfsburgu i ka refuzuar të gjitha skuadrat duke ia ka vënë klauzolën prej 40 milionë eurosh. Megjithatë, Ujqit nuk kanë probleme financiare, prandaj një ofertë e Bayernit, që vlerësohet rreth 50 milionë euro marrë parasysh vlerën e lojtarëve, mund të vihet në jetë.

Raul: Dua ta fitoj Bundesligan

Transferimi legjendar i Schalkes, Raul, ka deklaruar se ai dëshiron që ta fitojë Bundesligan në sezonin e tij të parë te Schalke.
“Unë e njoh historinë e klubit dhe i njoh bashkëlojtarët e mi të rinj, dhe unë dua t’i njoh edhe më shumë dita ditës. Unë dua t’i shkëmbej përvojat, por unë duhet ta mësoj gjuhën, është e komplikuar por jam duke e mësuar”.

“Të luaja ndaj Realit? Nuk kam ndonjë klauzolë që nuk më lejon të luajë ndaj Realit. Do të ishte e veçantë dhe do të varej nga rrethanat. Shpresoj se do të luaj ndaj Realit në fazat e vonshme të Ligës së Kampionëve. Kjo do të ishte mirë për të dyja klubet”.

“Gjëja më vendimtare ishte interesimi i klubit për mua. Disa muaj më parë ata më pyetën nëse ka ndonjë mundësi. Unë pata oferta të tjera dhe mendova të vazhdoja te Reali. Por, unë kam kërkuar një skuadër të qëndrueshme, një që e kërkoja në nivel sportiv. Unë erdha të punoj shumë dhe shpresoj se kjo do të jetë përvojë e mrekullueshme për mua dhe familjen time”, deklaroi Raul.

Werderi e pret Unitedin për Ozil

Werder Bremeni thuhet të jetë në pritje të ofertës së Manchester United për supertalentin, Mesut Ozil.
Kicker pohon se Sir Alex Ferguson, ka mjaft para në dorë për të shpenzuar gjatë kësaj vere dhe lojtari që ai kërkon është mesfushori gjerman.

Ferguson është i bindur se mund ta transferojë mjeshtrin gjerman për 12 milionë funte, duke e ditur se ka edhe një vit në kontratën e tij. Përkundër spekulimeve se Real Madridi dhe Barcelona janë të interesuar për të, Werderi këmbëngul se ende nuk kanë ardhur ofertat.

Eto’o: Jam sulmues, jo mbrojtës

Sulmuesit të Interit, Samuel Eto’o, duket t’i ketë ardhur në maje të hundës loja në pozicione të ndryshme nën Jose Mourinhon dhe tani ka kërkuar që ai të luajë si sulmues ekstrem, që është dhe pozita natyrale e kamerunasit.
“Puna ime ka qenë gjithmonë që të shënoj gola dhe unë shpresoj se do të shënoj shumë sezonin e ardhshëm. Unë kam sqaruar se mund të shënoj gola dhe Interi më transferoi për këtë. Unë gjithashtu mund të ndihmoj në mbrojtje, por jam sulmues”.

“Rafael Benitez është i mirë dhe kështu unë do të gjej një mënyrë për të qenë sa më pranë golit”, është shprehur Eto’o për Inter Channel.

Fabregas: Wenger, babai i dytë

Njeriu më i përfolur muajt e fundit, Cesc Fabregas, ka deklaruar se ai është nga Katalunia dhe është normale që ai të kërkojë kthimin në vendlindje, por ka përmendur rëndësinë që ka në jetën e tij Arsene Wenger, duke thënë se ai përballet me vendimin më të vështirë të jetës së tij, ndërsa nga ana tjetër spekulohet se Sandro Rosell ka udhëtuar në Londër për të biseduar për herë të fundit me Arsenalin për transferimin.
“Unë jam nga Barcelona. Unë jam anëtar i klubit, ashtu si gjyshi im, xhaxhai im dhe kushëriri im. Unë i ndjej ato ngjyra dhe i kam ndjerë që nga rinia. Unë jam katalanas, unë jam nga Arenys (një komunitet i vogël katalanas), kam kaluar nëpër akademinë e Barcelonës… Sidoqoftë, unë jam kapiten i Arsenalit. Unë jam topçi dhe ai është vendi ku jam bërë lojtar dhe jam pjekur si njeri”.

“Arsene Wenger është babai im i dytë, njeriu më i rëndësishëm në jetën time pas babait tim. Ai ka qenë shumë mbështetës dhe më ka trajtuar si djalin e tij. Unë jam pjesë e familjes së tij. Ai nuk dëshiron që unë të largohem. Biseda ime e fundit me të në Londër ishte një nga momentet më të vështira. Unë duhet të jetoj. Unë jam prekur shumë nga ajo bisedë”, ka thënë Fabregas në një intervistë për DIR Emotions.