Monday, September 6, 2010

Cana: Do të japim maksimumin për fitore


Mesfushori kuqezi Lorik Cana ka thënë se përfaqësuesja e Shqipërisë nuk ka eufori pas barazimit sensacional kundër Rumanisë, dhe se është e vendosur që të shënojë fitore në përballjen e radhës në kuadër të Grupit D, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2012.
Të martën mbrëma kombëtarja shqiptare do të luajë kundër Luksemburgut, ndërsa Cana u premton tifozëve se skuadra do të japë gjithçka në fushë për të grumbulluar pikët maksimale.

Sipas kosovarit, ndeshja ndaj Luksemburgut do të jetë ndryshe nga ajo kundër Rumanisë, pasi këtu Shqipëria duhet ta menaxhojë lojën.

Mesfushori i Galatasarayt nuk ka dashur të paragjykojë rezultatin, por ka thënë se përfaqësuesja kuqezi do të japë maksimumin për të fituar.

Ancelotti: Menaxher i Anglisë? Pse jo!

Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, do të shqyrtonte mundësinë e drejtimit të kombëtares angleze, përkundër faktit se ai dëshiron që të përsërisë kohën e qëndrimit të Sir Alex Ferguson te United, por te Chelsea.
“Ta drejtoj Anglinë? Pse jo? Por jo tani, tani për tani dëshiroj të qëndroj te Chelsea aq gjatë sa Ferguson te United. Pas kësaj, mendoj se e ka radhën kombëtarja”.

“Unë jam serioz, për 24 vite do të jem 75 vjeçar dhe nuk e di nëse do të jem në gjendje ta menaxhoj kombëtaren”, tha ‘Carlito’.

Capello: Rooney luan ndaj Zvicrës


Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, ka deklaruar se Wayne Rooney është i gatshëm që të luajë nga fillimi ndaj Zvicrës, përkundër problemeve të shumta të fundit në jetën e tij private.
“Po, ai do të luaj. Unë fola me të dhe unë e monitorova atë gjatë dy ditëve pas ndeshjes ndaj Bullgarisë dhe ai është vërtet, vërtet i mirë në fushë. Ai do të jetë në situatë të mirë nesër, sepse unë shpresoj se paraqitja e Rooneyt do të jetë e njëjtë ashtu si në Wembley”.

“Unë fola me të dhe ai është i kënaqur që do të luaj. Kur e di se lojtarët duan të luajnë, është vërtet me rëndësi për mua”.

“Lojtarët e dijnë se çfarë të bëjnë në jetën private. Është jeta e tyre private. Lojtarët e dijnë se çfarë kërkoj zakonisht prej tyre dhe është me rëndësi paraqitja në fushë. Është më mirë t’i ndajmë momentet e ndryshme”, ka thënë Capello.

Menezes lë dyert e hapura për Dinhon


Përzgjedhësi i Brazilit, Mano Menezes, ka bërë të ditur pozicionin e tij në raport me Ronaldinhon, të cilit i ka lënë dyert e hapura për një rikthim në kombëtare.
“Ronaldinho në kombëtare? Unë po punoj për Botërorin 2014. Dinho nuk është i moshuar dhe kurrë nuk do të jetë i tillë për Brazilin”.

“Cilësitë e tij nuk mund të vihen në pikëpyetje dhe sezoni i tij i fundit te Milani ishte i mirë, por dy apo tre te kaluarat ishin të dobëta. Nëse ai do të rikthehet në formën më të mirë, atëherë do ta ftoj në kombëtare”, deklaroi Menezes për La Gazzetta dello Sport.

Silva: Ose LK, ose Scudetto


Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, është i sigurt se klubi do të luftojë për trofe të ndryshëm, por ai nuk di të zgjedhë mes Scudettos dhe Ligës së Kampionëve.
“Kubi ka pasur merkato fantastike. Unë nuk dua të them se ne do ta fitojmë Ligën e Kampionëve apo Scudetton, por ne do të arrijmë një prej këtyre objektivave”.

“Si mbrojtës që jam, do të doja të shihja Alexandre Paton, Ronaldinhon, Robinhon dhe Ibrahimovicin të luajnë së bashku. Unë gjithashtu jam i gatshëm që të luftoj dhe të shënoj disa gola”, deklaroi Thiago Silva.