Tuesday, July 20, 2010

Drilon Bajrami, ‘shkatërruesi’ 15 vjeçar

Drilon Bajrami, një shqiptar 15 vjeçar është i shquar në Londër për talentin e tij të madh për sportin e tekvandos, ndërsa për këtë ka jo pak arsye.
Bajrami i ‘copëtoi’ kundërshtarët të premten kur e fitoi medaljen e artë në London Open, megjithëse sukseset e tij nuk kanë të ndalur. Ai më 27 qershor fitoi tre medalje të arta në “ETA Championships”, ashtu si në shumë turne paraprake, ku ishte dominues.

Synimi primar i Drilon Bajramit është që të jetë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të vitit 2012.

Gerrard i përkushtohet Liverpoolit

Ikona e Liverpoolit, Steven Gerrard, përfundimisht ka vendosur që të qëndrojë te Liverpooli, pasi që ai mezi pret të luajë së bashku me transferin më të ri, Joe Cole.
“Është një transferim i mirë për ne. Unë e njoh mirë Joe Cole përmes kombëtares dhe unë në shikim të parë e kam vërejtur se çfarë lojtari i mirë ishte ai. Ai ka treguar aftësitë e tij përgjatë viteve të shumta në Ligën Premier, shpeshherë edhe ndaj nesh, kështu që do të jetë fantastike të luaj përkrah tij në fanellën e Liverpoolit”.

“Unë i kam thënë se çfarë klubi i madh është ky dhe unë jam i sigurt se Joe është një talent aq i mirë sa që tifozët besoj se mezi presin ta shohin. Unë e kam bërë të qartë se mu nevojit të përqendrohem në Botëror dhe më pas të pushoj me familjen. Unë kërkova rastin që të takohesha me Roy Hodgson privatisht dhe pasi e kam bërë këtë, unë u impresionova nga planet e tija për të ardhmen”, deklaroi Gerrard për The Liverpool Echo.

Askush nuk dëshiron të largohet nga klubi më i mirë në botë

Mbrojtësi i Real Madridit, Ezequiel Garay, ka deklaruar se jo ai, por askush nuk dëshiron të largohet, sipas tij, nga klubi më i mirë në botë, e që për të është Real Madridi.
“Secili trajner ka mënyrën e tij të stërvitjes dhe të lojës dhe ne duhet të përshtatemi me idetë e tij. Për momentin, ne të gjithë jemi të kënaqur në stërvitje dhe unë besoj se ai është i kënaqur me neve”.

“Ky është Reali dhe këtu, gjithmonë dëgjon për lojtarë të rinj. Por, kjo është mirë për mua, sepse më jep rast të punoj shumë dhe t’i tregoj trajnerit se mund të luftoj me secilin që vjen këtu. Unë jam te ekipi më i mirë në botë dhe askush nuk dëshiron të largohet nga këtu. Unë do të bëj më të mirën për t’i treguar trajnerit tim se unë mund të luaj në njëmbëdhjetëshin e parë”, ka thënë Garay sipas Marca.

Ofrohet Kaka për Ashley Cole?

Real Madridi është i gatshëm ta thyejë Chelsean me një ofertë fantastike, ku do të përfshihej edhe mesfushori i kërkuar me ngulm nga Ancelotti, Ricardo Kaka, vetëm e vetëm për të sjellë në Bernabeu mbrojtësin e majtë, Ashley Cole.
Ashley Cole kërkon të largohet nga Chelsea për shkak të problemeve me jetën private, por Ancelotti nuk është në disponim të mirë për ta lënë atë të largohet, as për 30 milionë funte.

Por, duket se Real Madridit i ka ardhur në maje të hundës Carlo Ancelotti dhe pengesat që i bën ai sa i përket transferimit të Cole, ndërsa tani ka vendosur t’ia plotësojë dëshirën duke ia ofruar lojtarin e tij të preferuar, Leite Kaka.

Sacchi mbron Berlusconin

Ish-trajneri i Milanit, Arrigo Sacchi, ka lutur tifozët e hidhëruar të Milanit që të jenë të duruar me presidentin Silvio Berlusconi, përkundër protestave të mëdha që po zhvillohen në Milanello.
Rreth 2.000 protestues e pritën me vërshëllima dhe fyerje nga më të ashpra presidentin Silvio Berlusconi, i cili ateroi me helikopter në qendrën stërvitore në Milanello.

“Mendoj se ne duhet të kemi respekt të madh për Berlusconin dhe Gallianin. Ata i kanë dhënë aq shumë këtij klubi dhe kanë treguar kompetencë të lartë në punën e tyre. Ata meritojnë falënderim të madh, pasi që ata gjithmonë gjejnë zgjidhje për t’u hipur në maje. Berlusconi ka të drejtë të kërkojë atë që i bie në mend. Mendoj se ata do të vazhdojnë të jenë inovatorë mjaft të mirë”, ka thënë Sacchi.

Shorti i La Liga, ‘el Classico’ më 28 nëntor

Është hedhur shorti për sezonin e ardhshëm në La Liga, short i cili ka nxjerrë përballje mjaft interesante në javët e para.
Barcelona e fillon fushatën në La Liga me ndeshjen ndaj Racing Santanderit si mysafir, ashtu si Real Madridi që i shkon Mallorcas së fuqishme në shtëpi. Edhe Valencia dhe Sevilla luajnë si mysafirë në javën e parë, ndaj Malagas respektivisht Levantes.

‘El Classico’ i parë, që do të shohë përballë rivalët e përgjakshëm, Real Madridin dhe Barcelonën, zhvillohet ashtu si sezonin e kaluar në Camp Nou më 28 nëntor, ndërsa ‘el Classico’ i dytë zhvillohet në javën e 32-të në Santiago Bernabeu më 17 prill 2011.

Java e parë:

Levante - Sevilla
Mallorca - Real Madrid
Espanyol – Getafe
Atletico Madrid - Sporting
Real Sociedad - Villarreal
Deportivo - Zaragoza
Osasuna - Almería
Racing - Barcelona
Málaga - Valencia
Hercules – Athletic Bilbao

City mohon interesimin në Drogba

Manchester City thuhej se është në kërkim të sulmuesit të Chelseat, Didier Drogba, mirëpo ‘qytetarët’ kanë reaguar shumë shpejtë për të mohuar spekulimet.
Agjenti i Drogbas, Thierno Seydi, ka thënë se ai ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Cityn dhe se këta të fundit mund të interesoheshin për të, ndërsa tani në skenë dolën zëdhënësit e Cityt për të hedhur poshtë këto pohime.

“Ne kategorikisht mund të themi se nuk jemi të interesuar në transferimin e Didier Drogbas dhe çdo spekulim që do të dëgjoni tani e tutje do të jetë ndonjë gënjeshtër”, theksoi drejtorja e komunikimit me mediat te City, Vicky Kloss.

Brown: Giggs, më i miri në histori të futbollit

Mbrojtësi i djathtë i Manchester United, Wes Brown, mendon se bashkëlojtari i tij, Ryan Giggs, është futbollisti më i mirë në histori të futbollit.
“Më i miri në histori të futbollit? E di që kjo që do të them do të tingëllojë jo dhe aq mirë, por unë do të thosha Giggs. Natyrisht, kemi Maradonën dhe Pelen të cilët ishin lojtarë të klasit botëror, por për mua është Giggs. Paraqitjet dhe të arriturat e tij janë fantastike”.

“Natyrisht, vjen koha kur duhet të heqësh dorë dhe një nga ata është edhe Giggs. Por, të ketë luajtur me aq qëndrueshmëri në nivelin më të lartë për një kohë aq të gjatë dhe të ketë qëndruar me një ekip është fantastike. Është e vështirë të mendosh për dikë tjetër si Giggs. Sir Bobby Charlton është i vetmi lojtar tjetër që mund të krahasohet me Giggs”, tha Brown për The Mirror.

Fabregas kërkon transferimin

Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, thuhet se tani mund të përfshihet edhe personalisht në sagën e transferimit të tij, në mënyrë që të kthehet te Barcelona.
Barcelona ka përdorur taktika të ndryshme, duke filluar që nga oferta prej 29 milionë funte e deri te shantazhet mediale të cilat nuk mungonin gjatë muajve të fundit, me lojtarë të ndryshëm të Barcës të cilët me ngulm e kërkonin Cesc në Camp Nou.

Megjithatë, këto taktika të Barcelonës nuk i kanë lënë përshtypje Arsene Wengerit, pasi siç duket nuk ka ndërmend të lëshojë pe. Por, sipas Daily Mail, Fabregas pritet t’i hapë dyert kalimit të tij të Barca, me një kërkesë formale dhe publike për t’u larguar nga Emirates.

Reali dhe Bayerni në garë për Chiellinin

Bayerni është i gatshëm që së bashku me Real Madridin të garojë për firmën e qendërmbrojtësit të Juventusit, Giorgio Chiellini, pasi që Juventusi po flen sa i përket rinovimit të kontratës së tij.
Tuttosport pohon se Bayerni është përsëri në garë për Chiellinin. Gazeta torineze shkruan se bavarezët janë të gatshëm të ofrojnë 22 milionë euro për të. Ndërkaq edhe agjenti i Chiellinit, Davide Lippi, ka konfirmuar interesimin e Real Madridit dhe të Bayernit.

“Nuk kam marrë oferta zyrtare, por interesimi i Bayernit dhe i Real Madridit na bëjnë të jemi krenarë. Ai ka një kontratë, por kjo varet nga Juventusi. Unë do të takohem me Marottan dhe të shohim çfarë do të ndodhë. Chiellini kurrë nuk ka thënë se dëshiron të largohet, por në merkato gjithçka mund të ndodhë. Oferta të cilat janë të parefuzueshme ekzistojnë, por ato duhet të vlerësohen nga klubi”, ka thënë agjenti.

Ferguson: Nuk ka më transferime

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka këmbëngulur se ai është i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion, duke thënë se ai nuk ka ndërmend të transferojë lojtarë të tjerë.
“Nuk mund të flas për klubet tjera. Ne jemi mjaft të akomoduar me skuadrën që kemi në dispozicion. Ne jemi duke u stërvitur dy herë në ditë dhe presim që përfitimet nga ky angazhim të shihen që në fillim të sezonit”, theksoi Fergie.

Manchester United është lidhur nga mediat angleze me një transferim të supermesfushorit gjerman, Mesut Ozil.

Shkëmbim Van der Vaart – Schweinsteiger?

Mediat spanjolle pohojnë se Real Madridi dhe Bayerni janë në bisedime për një marrëveshje transferimi, që do ta shihte në Bernabeu mesfushorin Bastian Schweinsteiger, kurse në Allianz Arena në këmbim do të shkonte Rafael Van der Vaart.
Louis van Gaal ka deklaruar hapur se ai është i interesuar në bashkëkombasin e tij, Rafael Van der Vaart, ndërsa nga ana tjetër, Real Madridi pritet ta shfrytëzojë holandezin për të sjellur mesfushorin gjerman të Bayernit.

Nëse Schweinsteiger shkon në Bernabeu, atëherë automatikisht do të ndaleshin tentimet për transferimin e Sami Khediras së Stuttgartit.

Zyrtare: Loew vazhdon kontratën

Përzgjedhësi i Gjermanisë në futboll, Joachim Loew, është pajtuar të mbetet nën drejtim të kombëtares gjermane edhe për dy vitet e ardhshme.
“Të gjithë jemi të kënaqur që mund të vazhdojmë punën me ekipin kombëtar. Ekipi jonë ka perspektivë të shkëlqyeshme dhe është një sfidë e madhe për ne të vazhdojmë përgatitjet prë Euro 2012 pas një Kupe të suksesshme Botërore në Afrikën e Jugut.

Edhe pse shumica ishin skeptik kur Joachim Loew e morri nën drejtim Gjermaninë në vitin 2006 pas largimit të Jurgen Klinsmann, strategu ka shënuar rezultate të shkëlqyeshme.

Në drejtimin e Loew, Gjermania arriti në finale të Euro 2008 ku u mposht nga Spanja, ndërsa këtë muaj arriti deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës, Afrika e Jugut 2010.

Federata Gjermane e Futbollit edhe gjatë kohës së Botërorit paralajmëroi se dëshiron ta zgjatë marrëveshjen e përzgjedhësit, ndërsa Loew kërkoi kohë për të menduar për të ardhmen e tij.

Por duket se Loew do të vazhdojë të jetë në krye të ekipit kombëtar gjerman edhe për Kampionatin Evropian që do të zhvillohet pas dy vitesh në Poloni dhe Ukrainë.

Në ekip do të mbeten edhe menaxheri i ekipit Oliver Bierhoff dhe ndihmës trajneri Hans-Dieter Flick, si dhe trajneri i portierëve Andreas Koepk.
.

Drogba drejt Citit?

Agjenti i Didier Drogba, thotë se ai është në negociata me Manchester Cityn për transferim të yllit të Chelseat, të vlerësuar 20 milionë euro.
Ky lajm është ca befasues duke marrë parasysh faktin se qëllimi primar i Manchester Cityt ishte i riu i Interit, Mario Balotelli.

“Sot ai është në Chelsea, por mund të ndodhë befasi para 31 gushtit. Kontaktin e vetëm të drejtëpërdrejtë që e kam pasur ka qenë ai me Manchester City. Por për momentin lëvizim deri te status-quo”.

“Ne i kemi dëgjuar të gjithë, por që Didier ta lëshojë Chelsean nuk është detyrë e lehtë, pasi ai është atje për të luajtur mirë. Ai ka 32 vjet dhe është i hapur për gjithçka. Në moshën e tij, nuk mund t’i injoroj faktorët financiar”, ka thënë agjenti i lojtarit.

West Ham afër trasnferimit të Ben Haim

West Ham United është shumë afër të mbyllë marrëveshjen për mbrojtësin e Portsmouth, Tal Ben Haim.
Sipas mediave angleze, Ben Haim pritet të ribashkohet me Avram Grant, menaxherin e tij te Chelsea dhe Portsmouth, me dy klubet që tashmë thuhet se kanë arritur marrëveshje.

London Evening Standard shkruan se Ben Haim tash do të transferohet në West Ham si lojtar i lirë.

Guardiola le derën e hapur për largimin e Ibrahimovic

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, nuk është shumë insistues për të mbajtur Zlatan Ibrahimovic në Nou Camp.
Ka pasur zëra në shtypin spanjoll se në fakt është Guardiola ai që e nxit procesin e shitjes së Ibrahimovic gjatë kësaj vere dhe edhe mund të jetë kështu.

“Nuk kam folur me asnjërin, as Joan Laporta ose me presidentin e ri Sandro Rosell për mundësinë e shitjes së Zlatan. Vetëm ai mund të vendosë të ardhmen e tij. Vitin e kaluar ai pati një sezon të mirë, por përsëri, është ai dhe agjenti i tij ata të cilët duhet të vendosin çfarë të bëjnë”, ka thënë Guardiola.

Casillas: Nuk më pritet sezoni i ri

Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, mezi pret fillimin e sezonit të ri, pasi është i bindur se Reali mund të fitojë tituj.
“Unë kam ndaluar së foluri për trajnerin. I dëshirova atij fat të mbarë, por jam i sigurt se ai nuk ka nevojë për t’u bazuar në atë që tashmë është arritur. Unë kam ndjekur me anë të mediave se çfarë është në gjendje të bëjë Reali. Ky sezon është plotë shpresë dhe kënaqësi”.

“Të gjithë janë duke folur ende për Botërorin. Nuk ka lidhje se ku shkon, njerëzit të kujtojnë për atë. Ishte një gjë vërtetë krenare për ne. Na bën të ndjehemi mirë kur njerëzit na falënderojnë neve për fitimin e titullit dhe për atë se i lamë t’i harrojnë telashet e tyre”, ka thënë Casillas.

Van Gaal: Ende pres më të mirën nga Ribery

Trajneri i Bayernit, Louis Van Gaal, ka deklaruar se ai ende pret që të shohë më të mirën nga Franck Ribery, ndërsa përmendi hapur emrat e lojtarëve të cilët po i vëzhgon për këtë afat kalimtar veror.
“Bayerni i paguan mirë lojtarët, si Riberyn. Lojtarët duhet të japin gjithçka, ai gjithashtu. Unë nuk kam parë më të mirën e Riberys ende, sepse ai ka qenë shpesh i lënduar”.

“Unë po shikoj në shumë lojtarë. Unë po shikoj në Van der Wiel, Fabio Coentrao dhe Martin Caceres. Nëse do të kemi mundësi, atëherë ne do ta blejmë njërin. Por, unë nuk jam një trajner që vetëm blen. Unë jam trajner që dëshiron dhe që mund t’i përmirësojë lojtarët”, ka thënë Van Gaal.

Adriano: Barcelona - klubi më i mirë në botë

Ish-mbrojtësi i krahut i Sevillas, Adriano Correia, është i ngazëllyer me transferimin e tij te Barcelona.
Braziliani dje u prezantua si lojtar i Barcelonës në Nou Camp para fansave dhe mediave lokale.

“Kam nënshkruar për klubin më të mirë në botë për momentin. Kjo më ka ardhur si befasi, por jam ndjerë shumë i lumtur dhe nuk kam menduar as një sekondë”, ka thënë Adrano.

Mesfushori ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me mundësi të vazhdimit edhe për një vit, dhe ka një klauzulë blerëse që kap vlerën e 90 milionë eurove. Barcelona pagoi 9.5 milionë euro për të trasnsferuar lojtarin në Nou Camp.

Allegri dëshiron t’i mbajë Gattuson dhe Ronaldinhon

Trajneri i ri i Milanit, Massimiliano Allegri, thotë se ai dëshiron t’i mbajë në San Siro dy lojtarët Rino Gattuso dhe Ronaldinho.
Ish-trajneri i Cagliarit, Allegri, llogarit në shërbimet e të dy lojtarëve për sezonin e ri.

“Derisa Ronaldinho dhe Gattuso janë lojtarë të Milanit, atëherë unë do të llogaris në ta. Do të jem i lumtur nëse ata qëndrojnë“.

“Ronaldinho ka aftësi të shkëlqyeshme teknike, të tilla që nuk mund t’i gjeni askund tjetër në botë“, ka thënë Allegri.