Thursday, July 29, 2010

Lojë e ndyrë po luhet me Maiconin

Agjenti i Maicon ka thënë se zgjatja e sagës së transferimit të Maiconit te Real Madridi, është shkaktuar nga dikush që po luan një lojë të ndyrë.
“Një nga arsyet që ky transfer po merr aq kohë të gjatë është për shkak se dikush po luan një lojë të ndyrë. Herët apo vonë e vërteta do të zbulohet dhe ne do të dimë se kush e ka ngrirë transferimin”.

“Unë shpresoj që dikush të marrë ndonjë hap vendimtar dhe kjo çështje të zgjidhet në ndonjë mënyrë. Ne të gjithë e dimë se Maicon ka kontratë me Interin dhe se presidenti Massimo Moratti do të shqyrtojë ofertat që u përshtaten kërkesave të tij. Unë kam marrëdhënie të mira me Realin dhe mund t’iu them se ata kurrë nuk më kanë thënë që kërkesat financiare të Interit janë problemi tek transferimi i Maicon”, u deklarua Antonio Caliendo për AS.

Ibra: Spekulimet? Si të shiten ndryshe gazetat...

Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, ka shpërthyer në mënyrë sensacionale duke thënë se ai ka mbështetjen e trajnerit Pep Guardiola, duke hedhur poshtë spekulimet të cilat e bënin atë lojtar të klubeve, si Milani apo Manchester City.
“Guardiola më ka thënë se jam lojtar i rëndësishëm i skuadrës dhe unë e kuptova këtë si fakt që do të luaj. Nëse nuk jeni i rëndësishëm, atëherë nuk luani”, theksoi Ibra.

Ibra më pas e lëvdoi kolegun e tij David Villa, duke thënë se është një prej sulmuesve më të mirë në botë dhe që e bën Barcën ekip më të fortë, por përjashtoi mundësinë e garimit me të për një vend në njëmbëdhjetëshin e parë.

“Jam në dijeni që klubet janë të interesuara për mua. Kjo do të thotë se kam bërë diçka për këto komente, por kjo nuk më ka prekur mua. Kur luani në nivelin më të lartë, atëherë spekulime ka çdo ditë sepse ndryshe nuk shiten gazetat. Unë kam edhe katër vite kontratë me Barcelonën. Është lëvdatë e mirë që klubet tjera janë të interesuara në mua, por jam shumë i lumtur te Barcelona dhe vetëm shpresoj të qëndroj këtu”, përfundoi ‘Ibracadabra’.

Bayerni ofron dy lojtarë për Dzekon

Bayerni është tejet i interesuar për shërbimet e sulmuesit të Wolfsburgut, Edin Dzeko dhe është i gatshëm t’u ofrojë Ujqve dy lojtarë të rëndësishëm.
Javën e kaluar Louis Van Gaal e quajti Dzekon lojtar të vlefshëm, por shtrohet pyetja se sa vlen vërtet Dzeko? Spekulohet se Bayerni dëshiron ta ofrojë Mario Gomezin (i transferuar për 35 milionë euro te Bayerni) dhe Anatoly Tymochcuk (i transferuar për 15 milionë euro te Bayerni) në paketën për Dzekon.

Për Dzekon janë të interesuar skuadra si Milan, Juventus dhe Manchester City, ndërsa Wolfsburgu i ka refuzuar të gjitha skuadrat duke ia ka vënë klauzolën prej 40 milionë eurosh. Megjithatë, Ujqit nuk kanë probleme financiare, prandaj një ofertë e Bayernit, që vlerësohet rreth 50 milionë euro marrë parasysh vlerën e lojtarëve, mund të vihet në jetë.

Raul: Dua ta fitoj Bundesligan

Transferimi legjendar i Schalkes, Raul, ka deklaruar se ai dëshiron që ta fitojë Bundesligan në sezonin e tij të parë te Schalke.
“Unë e njoh historinë e klubit dhe i njoh bashkëlojtarët e mi të rinj, dhe unë dua t’i njoh edhe më shumë dita ditës. Unë dua t’i shkëmbej përvojat, por unë duhet ta mësoj gjuhën, është e komplikuar por jam duke e mësuar”.

“Të luaja ndaj Realit? Nuk kam ndonjë klauzolë që nuk më lejon të luajë ndaj Realit. Do të ishte e veçantë dhe do të varej nga rrethanat. Shpresoj se do të luaj ndaj Realit në fazat e vonshme të Ligës së Kampionëve. Kjo do të ishte mirë për të dyja klubet”.

“Gjëja më vendimtare ishte interesimi i klubit për mua. Disa muaj më parë ata më pyetën nëse ka ndonjë mundësi. Unë pata oferta të tjera dhe mendova të vazhdoja te Reali. Por, unë kam kërkuar një skuadër të qëndrueshme, një që e kërkoja në nivel sportiv. Unë erdha të punoj shumë dhe shpresoj se kjo do të jetë përvojë e mrekullueshme për mua dhe familjen time”, deklaroi Raul.

Werderi e pret Unitedin për Ozil

Werder Bremeni thuhet të jetë në pritje të ofertës së Manchester United për supertalentin, Mesut Ozil.
Kicker pohon se Sir Alex Ferguson, ka mjaft para në dorë për të shpenzuar gjatë kësaj vere dhe lojtari që ai kërkon është mesfushori gjerman.

Ferguson është i bindur se mund ta transferojë mjeshtrin gjerman për 12 milionë funte, duke e ditur se ka edhe një vit në kontratën e tij. Përkundër spekulimeve se Real Madridi dhe Barcelona janë të interesuar për të, Werderi këmbëngul se ende nuk kanë ardhur ofertat.

Eto’o: Jam sulmues, jo mbrojtës

Sulmuesit të Interit, Samuel Eto’o, duket t’i ketë ardhur në maje të hundës loja në pozicione të ndryshme nën Jose Mourinhon dhe tani ka kërkuar që ai të luajë si sulmues ekstrem, që është dhe pozita natyrale e kamerunasit.
“Puna ime ka qenë gjithmonë që të shënoj gola dhe unë shpresoj se do të shënoj shumë sezonin e ardhshëm. Unë kam sqaruar se mund të shënoj gola dhe Interi më transferoi për këtë. Unë gjithashtu mund të ndihmoj në mbrojtje, por jam sulmues”.

“Rafael Benitez është i mirë dhe kështu unë do të gjej një mënyrë për të qenë sa më pranë golit”, është shprehur Eto’o për Inter Channel.

Fabregas: Wenger, babai i dytë

Njeriu më i përfolur muajt e fundit, Cesc Fabregas, ka deklaruar se ai është nga Katalunia dhe është normale që ai të kërkojë kthimin në vendlindje, por ka përmendur rëndësinë që ka në jetën e tij Arsene Wenger, duke thënë se ai përballet me vendimin më të vështirë të jetës së tij, ndërsa nga ana tjetër spekulohet se Sandro Rosell ka udhëtuar në Londër për të biseduar për herë të fundit me Arsenalin për transferimin.
“Unë jam nga Barcelona. Unë jam anëtar i klubit, ashtu si gjyshi im, xhaxhai im dhe kushëriri im. Unë i ndjej ato ngjyra dhe i kam ndjerë që nga rinia. Unë jam katalanas, unë jam nga Arenys (një komunitet i vogël katalanas), kam kaluar nëpër akademinë e Barcelonës… Sidoqoftë, unë jam kapiten i Arsenalit. Unë jam topçi dhe ai është vendi ku jam bërë lojtar dhe jam pjekur si njeri”.

“Arsene Wenger është babai im i dytë, njeriu më i rëndësishëm në jetën time pas babait tim. Ai ka qenë shumë mbështetës dhe më ka trajtuar si djalin e tij. Unë jam pjesë e familjes së tij. Ai nuk dëshiron që unë të largohem. Biseda ime e fundit me të në Londër ishte një nga momentet më të vështira. Unë duhet të jetoj. Unë jam prekur shumë nga ajo bisedë”, ka thënë Fabregas në një intervistë për DIR Emotions.

Ambrosini: Do ta kemi në dorë Interin

Kapitenin e Milanit, Massimo Ambrosini, duket ta kenë kapluar shumë herët emocionet e sezonit të ardhshëm, pasi që prej tani planifikon që së bashku me Milanin ta fusin në dorë Interin dhe ta kontrollojnë dominimin e Nerazzurëve.
“Milani sigurisht se është një skuadër kompetitive që bëri shumë sezonin e kaluar, por ne do të bëjmë edhe më shumë sezonin e ardhshëm”.

“Ne mund t’i shkaktojmë probleme Interit këtë vit, edhe pse është ekip më i fortë në krahasim me të tjerët. Ne do të tentojmë që ta kontrollojmë dominimin e tyre dhe t’i fusim në dorë”, deklaroi Ambrosini.

Ancelotti: Balotelli kurrë nuk ka qenë opsion

Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka thënë se asnjëherë nuk ka planifikuar ta transferojë sulmuesin e Interit, Mario Balotelli, gjatë këtij afati kalimtar.
I pyetur nga La Stampa nëse SuperMario ishte pranë kalimit te Chelsea, Ancelotti tha: “Kjo nuk korrespondon me mua. City ka qenë skuadra që ka shpenzuar më së shumti gjatë këtij afati kalimtar veror dhe ata do të luftojnë për titull. Mario është talent i çmendur, por Liga Premier është ideale për të. Ai do ta gjejë Roberto Mancinin, njeriun që e lansoi në Serie A”.

“Çfarë më mungon te Chelsea? Unë kam fituar Ligën Premier, FA Cup dhe Superkupën, tani ëndrra ime është Liga e Kampionëve”, u shpreh Ancelotti.

Sipas raporteve të fundit nga mediumet italiane, transferimi i Mario Balotellit pritet të zyrtarizohet brenda pak orëve.

Ronaldinho lëndohet, mungon një muaj

Asi i Milanit, Ronaldinho, mund të mungojë deri në një muaj, për shkak se pësoi një zgjatje muskulore në kuadriceps, njofton Il Corriere dello Sport.
Ky lajm do të thotë se braziliani do të mungojë në turneun Emirates Cup që zhvillohet në Londër gjatë fundjavës. Ronaldinho e pësoi lëndimin gjatë stërvitjes dhe dëmtimi nuk u duk dhe aq i lehtë.

Zërat nga Milanello thonë se ai do të ketë një skanim për evidentimin e mëtutjeshëm të gjendjes, ndërsa dyshohet se ai mund të mungojë edhe në start të sezonit të ri, një gjë që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Babai i Dzekos të zbusë Wolfsburgun

Juventusi po shpreson në përfshirjen e babait të Edin Dzekos në negociata me Wolfsburgun, në mënyrë që të konkretizohet transferimi i boshnjakut në Olimpico të Torinos.
Tuttosport spekulon se babai i sulmuesit do të bisedojë me drejtorët e Wolfsburgut dhe do t’u thotë se djali i tij dëshiron të kalojë te Zonja e Vjetër. Drejtori i Juves, Giuseppe Marotta, shpreson që përfshirja e familjes të ndihmojë në transferimin e sulmuesit, përderisa ai nga ana tjetër është duke u ‘shqyer’ që ta sjellë edhe serbin Milos Krasic nga CSKA e Moskës.

Të mërkurën është thënë se Andrea Agnelli, presidenti i Juves, ka bërë ofertë prej 30 milionë eurosh për boshnjakun, por besohet se oferta nuk do të pranohet nga Wolfsburgu që kërkon 40 milionë euro. Nëse dështon marrëveshja për Dzekon, Juve pritet të kthehet kah Krasic, pasi që rregulla e re e vënë nga Federata Italiane, u pamundëson Bianconerëve transferimin e të dy ballkanasve.

Ozil nuk ka kontratë me Realin

E përditshmja gjermane Bild, shkruan se mesfushori i Gjermanisë, Mesut Ozil, nuk ka parakontratë me Real Madridin për të kaluar si transfer i lirë në fund të sezonit të ardhshëm.
Sipas gazetës më të madhe gjermane, Ozil nuk ka arsye për të nënshkruar ndonjë parakontratë që tani me Real Madridin, duke hedhur kështu poshtë raportet e AS dhe Marca.

Nga ana tjetër, thuhet se Werder Bremeni është i gatshëm të bisedojë me secilin klub që ofron së paku 16 milionë euro, por pasi që klubet e dinë se Ozil ka vetëm edhe një vit kontratë, ato janë duke u kursyer pasi që nuk kanë dëshirë të shpenzojnë.

Për Mesut Ozil janë të interesuar më se 10 skuadra, nga të cilat disa janë top skuadra evropiane dhe skuadra të nivelit të dytë. Mesfushori i Werderit mendohet se preferon një klub të madh dhe nuk e ka shqyrtuar kurrë kalimin te ndonjë skuadër mesatare.

Mancini: Robinho do të rikthehet

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka konfirmuar se ylli brazilian, Robinho, do të rikthehet në Eastlands posa të përfundojnë ndeshjet miqësore të kombëtareve në gusht.
“A kam problem me rikthimin e Robinhos? Jo për momentin. Varet nga ai”.

“Situata është e tillë që Robinho do ta përfundojë kontratën e tij me Santosin. Pas kësaj, ai do të qëndrojë në Brazil për të luajtur me kombëtaren dhe pas kësaj ai do të rikthehet te Manchester City”, ka thënë Mancini për Sky Sport

Beckham i bën premtim West Hamit

Superylli anglez, David Beckham, i ka premtuar West Hamit se së shpejti do të marrë një vendim sa i përket transferimit në Upton Park.
35-vjeçari është aktualisht i kontraktuar nga LA Galaxy dhe pritet të rikthehet në javët në vijim nga dëmtimi i pësuar në tendinin e Akilit, para se të kthehet përsëri në Evropë në janar.

Beckham po lidhet që një kohë me një rikthim tek rrënjët e tij, në Londrën Lindore, aty dhe ku ka lindur, ndërsa bashkëpronari i West Hamit mezi pret ta shohë atë në Upton Park.

“Ne kemi biseduar me agjentët e David Beckham disa muaj më parë dhe ajo ishte një mundësi. Ai është i preokupuar me disa projekte për momentin, por ai na ka premtuar e do të na e japë çdo konsideratë dhe mundësi për të na u bashkuar”, deklaroi David Gold për The Sun.

Reali në negociata për Thiago Silvan

Agjenti i qendërmbrojtësit të Milanit, Thiago Silva, ka thënë se Real Madridi është duke bërë presion në klubin nga Milanello për ta lejuar mbrojtësin të kalojë në Bernabeu.
“Para së gjithash, Thiago Silva është shumë i lumtur në Milano. Barcelona? Vetëm spekulim, por ka interesim të Real Madridit, që po negocion në mënyrë të drejtpërdrejtë me Milanin. Një menaxher i Real Madridit ka ardhur për të pyetur se si qëndron situata e Silvas dhe unë i kam thënë atij se përpos lëkundjes nga interesimi i një ekipi si Reali, ai ka një kontratë që është valide deri në vitin 2013”.

“Real Madridi ka bërë ofertë prej 25 milionë euro, por nuk e di nëse Milani do ta pranojë, nuk varet nga unë ose Thiago. Janë bisedime që po zhvillohen mes dy presidentëve”, ka thënë Paulo Tonietto për Globoesport.

Ferguson lëvdon Machedan dhe Hernandez

Bosi i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, u ka dhënë breshëri lëvdatash futbollistëve të tij të rinj, të cilët shkëlqyen në ndeshjen ndaj Yjeve të MLS.
“Ne gjithnjë mendojmë për Machedan, se ai është më i miri që kemi në skuadër sa i përket daljes përballë portierit. Ai është i jashtëzakonshëm në këto pozita. Ju gjithmonë keni besim. Kur ai doli përballë me portierin, unë prita që ai të shënojë”.

“Një gjë që i brengos mbrojtësit është shpejtësia e lojtarëve, të cilët i gjejnë hapësirat prapa tyre. Nëse e shihni golin e Hernandez, është indikacion i asaj shpejtësie. Koha e vrapimit, marrja e topit, ai do të jetë padyshim rrezik për mbrojtësit”, ka thënë Fergie.

Mancini: Balotelli do ta pushtojë Anglinë

Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, beson se supertalenti Mario Balotelli do të bëhet mbret i futbollit anglez, kur ai ta finalizojë kalimin te Manchester City.
“Unë ia dhashë debutimin në Serie A sepse ai ka talent, sikurse shumë lojtarë të Interit dhe unë e njoh atë shumë mirë. Nuk është e vërtet se ai ka karakter të dobët. Në këtë moshë, të gjithë bëjnë gabime. Mario është djalosh i mirë”.

“Dhe lojtarët e mirë luajnë mirë kudo që shkojnë. Ai mund të tregojë vlerat e tij këtu në Angli dhe jam i sigurt se ai do ta pushtojë futbollin anglez. Ne po kërkojmë një sulmues dhe ai është një prej të cilëve e kam kërkuar. E dua atë në skuadër”, ka thënë ‘Mancio’.

Mourinho mendon për Carvalhon

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka pranuar se ai do të dëshironte që të ribashkohej me mbrojtësin e Chelseat, Ricardo Carvalho.
Carvalho tashmë ka deklaruar se ai do të notonte nëse ka nevojë po që se interesohet Real Madridi, por përgjigja e Mourinhos ishte e shpejtë.

“Unë gjithnjë kam thënë se Carvalho është një prej mbrojtësve më të mirë në botë. Ai tani është në kulmin e zhvillimit të tij. Do të shohim çfarë do të ndodhë...”, theksoi ‘i veçanti’.

Khedira e do Realin

Vetëm një ditë pasi është folur për një marrëveshje të arritur mes Sami Khediras dhe Real Madridit, ka dalë në skenë drejtori i Stuttgartit, Fredi Bobic, që ka pranuar se Sami Khedira dëshiron të kalojë te Real Madridi.
“Po, ai na ka thënë se dëshiron të kalojë te Real Madridi. Fatkeqësisht, kjo është kështu. Tani duhet të gjejmë një zgjidhje. Ne e respektojmë vendimin e Khediras. Unë e di, që ai në zemër e mban Stuttgartin, por Reali nuk thërret çdo ditë në jetë”, ka thënë Bobic për Bild.

Në ditët në vijim pritet që Real Madridi të bëjë një ofertë zyrtare prej mbi 10 milionë eurosh për mesfushorin gjerman, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë që është e mundshme.

Reagimet e trajnerëve pas shortit të Serie A

Të mërkurën mbrëma është tërhequr shorti për sezonin 2010/2011 në Serie A, një short i cili ka nxjerrë mjaft përballje interesante në javët e para të tij.
Përkundër javës së parë ku llogariten ndeshje të lehta për favoritët, trajnerët Claudio Ranieri, Luigi Del Neri, Masimiliano Allegri dhe Rafael Benitez, të gjithë kanë qenë të matur në deklarimet e tyre pas shortit.

Ranieri: “Secili kampionat prezanton një tregim të ri. Ne nuk mund të mendojmë për një start të lehtë apo të vështirë. Secila ndeshje duhet të luhet dhe herët apo vonë do të përballemi me të gjithë”.

Del Neri: “Është një kalendar interesant pasi që shohim Romën dhe Interin të ndeshen në javën e pestë, të dy këta kandidatë për titull. Ne fillojmë ndaj Barit më 29 gusht dhe më pas e mbarojmë me Napolin në maj. Ne duhet të bëjmë impenjim maksimal gjatë gjithë sezonit”.

Allegri: “Ne duhet të fillojmë mirë dhe ta menaxhojmë periudhën kur do t’i luajmë ndeshjet e rëndësishme. Starti është paksa i papërshtatshëm sepse po luajmë ndaj ekipeve të sapo promovuara. Por, ne duhet të tregojmë intensitet dhe përkushtim”.

Benitez: “Ne duhet të përgatitemi për secilën ndeshje që na e tregon lista dhe ta fillojmë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë mendoj se ndeshjet kyçe për ne do të jenë ndaj Romës në Olimpico dhe ndaj Juventusit në Meazza”.

Juve, ofertë për Burdisson

Juventusi është shumë pranë sigurimit të shërbimeve të mbrojtësit të Interit, Nicolas Burdisso, njofton La Gazzetta dello Sport.
Por, këtu nuk mbaron lufta për Burdisson. Sipas BBC, drejtori i Interit, Marco Branca, do të takohet me Romën, për të biseduar rreth kësaj çështje.

Sidoqoftë, besohet se Juventusi do të lansojë një ofertë prej 7.5 milionë euro, ofertë që do të pranohej nga Interi, nëse Roma nuk bën ndonjë ofertë më të lartë.

Galliani: Dyshoj se do ketë transferime

Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka deklaruar se tifozët e Milanit duhet të presin fillimin e sezonit të ri pa ndonjë përforcim të madh.
“A do të punojmë në treg për të sjellë përforcime? Unë dyshoj në këtë, por të shohim. Është një problem, pasi që do të jetë e vështirë ta transferojmë Hondan, për shkak se ai nuk ka pasaportë evropiane. Duhet ta pyesni FIGC-në për këtë”.

“Asnjë prej yjeve të mëdha nuk do të largohet. Siç ka thënë dhe presidenti i Interit, Massimo Moratti, duhet të bëni sakrifica me lojtarë të cilët kërkohen dhe jo t’i shitni ata që nuk kërkohen”, ka thënë Galliani për Calciomercato.

Ferguson: Pasuesi, të mos frikësohet nga historia

Sir Alex Ferguson ka porositur të gjithë ata që mendojnë se mund të bëhen menaxherë të Manchester Unitedit, që në rast se emërohen në atë post, të mos kenë frikë nga historia prestigjioze e klubit anglez.
“Me secilin klub të madh, sidomos me një klub si United, ju duhet ta përshtatni veten me një punëtori të tërë, e cila ka një histori të madhe. Kjo ju jep rastin që ta kuptoni më mirë historinë. Nuk është një histori nga e cila duhet të frikësoheni. Unë kurrë nuk u frikësova nga ajo, unë isha krenar që kam qenë pjesë e historisë”.

“Më pas, pas kësaj, ju duhet personalitet i fortë, një mentalitet i fortë dhe natyrisht se ju duhet ta njihni lojën. Për një klub të kategorisë tonë, personaliteti, përvoja dhe një prapavijë e mirë janë gjëra të rëndësishme”, ka thënë Ferguson për The Mirror.

Chelsea të finalizojë transferimin e Ramires

Chelsea dëshiron që të finalizojë transferimin e mesfushorit brazilian të Benficas, Ramires, para fillimit të turneut në Gjermani.
Sipas Daily Star, Blutë dëshirojnë që Ramires t’i bashkohet Chelseat gjatë kësaj jave, para se ata të nisen në turneun e tyre në Gjermani. Deri tani, tentimet e Chelseat për Ramiresin kanë dështuar, por një ofertë prej 17 milionë funtesh, sipas tabloidit anglez, mund të jetë joshëse për klubin portugez.

Chelsea gjatë këtij afati kalimtar veror ka transferuar vetëm Yossi Benayoun nga Liverpooli për 5 milionë euro, kurse nga skuadra ka larguar lojtarë si Michael Ballack dhe Joe Cole.

United dërrmon Yjet e MLS

Manchester United ka shkatërruar ekipin e Yjeve të MLS, në miqësoren e zhvilluar në Reliant Stadium në Houston të Teksasit, ndeshje që përfundoi me rezultat të thellë prej 5-2 në favor të evropianëve.
Në këtë takim shkëlqyen yjet e United si Macheda dhe Hernandez, me këtë të fundit që debutoi me gol në fanellën e Djajve të Kuq. Fillimisht, Macheda në minutën e parë dhe të 12-të e hapi takimin duke krijuar epërsi të dyfishtë për ekipin anglez.

U desh pjesa e dytë që të fillojë goleada. Bryan Ching zvogëloi epërsinë (65’), gol që vetëm sa i ndezi lojtarët e United. Pesë minuta më vonë, Darron Gibson shënoi për 3-1, kurse për 4-1 u përkujdes Tom Cleverly.

Në fund të takimit shënoi meksikani Javier Hernandez, që siç u tha më lart, shënoi në debutimin e tij. Golin e dytë dhe të fundit për Yjet e MLS e shënoi Dwayne DeRosario në minutën e fundit të takimit.

Kështu, United e mbaron me plot sukses turneun parasezonal në SHBA, pas humbjes së pësuar së fundmi nga Kansas City Wizards.

Maradona: Bilardo më tradhtoi

Diego Maradona ka drejtuar gishtin kah miku i tij i dikurshëm Carlos Bilardo, si fajtori kryesor për largimin e legjendës nga posti i trajnerit të Argjentinës.
“Bilardo më tradhtoi. Derisa ne po vuanim pas ndeshjes ndaj Gjermanisë, ai po punonte në hije për të më larguar”, tregoi El Pibe de Oro.

Maradona nuk tha fjalë të mira as për kreun e AFA, Julio Grondona, për të cilin tha se e kishte gënjyer.

“Ai më tha se nëse dëshiroja mund të vazhdoj, por pa shtatë anëtarë të stafit tim. Kur ma tha këtë, pra ai më thoshte se nuk dëshiron që unë të vazhdoj”, tha ish-trajneri i Argjentinës.

Shorti i Serie A, Inter - Milan java e 12-të

Është tërhequr shorti për ndeshjet e sezonit 2010/2011 në Serie A, short i cili ka nxjerrë mjaft përballje interesante në javët e para.
Në javën e parë më 29 gusht, kampioni Inter i shkon Bolognas, ndërsa Juventusi do të udhëtojë në Bari. Roma do të ketë punë me skuadrën e promovuar në Serie A, Brescia, ashtu si Milani që pret Leccen në San Siro

Java e pestë e sjellë dhe derbin e parë, në Olimpico të Romës takohen rivalët e dy sezoneve të fundit, Roma pret Interin. Një javë më pas, më 3 tetor, Interi në Giuseppe Meazza do ta zhvillojë atë që quhet ‘Derbi d’Italia’ ndaj njërit prej rivalëve më të mëdhenj, Juventusit.

Java e nëntë është e rezervuar për Milanin dhe Juventusin, të cilët më 31 tetor takohen në duelin e gjigantëve në San Siro. Derbi i kryeqytetit zhvillohet më 7 nëntor, kur në kuadër të javës së 10 takohen Lazio dhe Roma.

Në javën e 17-të, përkatësisht më 19 dhjetor, Milani pret Romën në San Siro, por po në këtë javë zhvillohet edhe derbi gjenovian mes Sampdorias dhe Genoas.

Definitivisht, java e 12-të do të jetë tejet e nxehtë, pasi që do t’i shohë më 14 nëntor të përballen njëri me tjetrin dy rivalët e përbetuar, ‘Derbi Della Madonnina’, Interi para tifozëve të vet pret Milanin në tempullin epik të Giuseppe Meazzas. Kjo nuk është e tëra. Juventusi do të ketë punë me Romën po në këtë javë, ndeshjet kthyese të së cilës zhvillohen më 3 prill.

Java e parë:

Bari - Juventus
Chievo - Catania
Milan - Lecce
Parma - Brescia
Roma - Cesena
Sampdoria - Lazio
Udinese - Genoa
Palermo - Cagliari
Bologna - Inter
Fiorentina - Napoli

Ndeshjet kryesore:

Java 5 Roma - Inter
Java 6 Inter - Juventus
Java 9 Milan - Juventus
Java 17 Milan – Roma dhe Sampdoria – Genoa
Java 10 Lazio - Roma
Java 12 Inter – Milan dhe Juventus - Roma

Giggs: E dua titullin

Kapitenit të Manchester United, Ryan Giggs, ende i dhemb fakti që Chelsea është kampion i Ligës Premier, duke thënë se ai dëshiron që pas zhgënjimit, ta fitojë titullin.
“Në sezonin tim të parë të plotë, ne e humbëm titullin ndaj Leeds. Kjo ende mbetet në mendjen tuaj. Kjo ju bën më të përkushtuar dhe pas kësaj, unë pata shumë sukses por në të njëjtën kohë edhe shumë zhgënjime. Janë zhgënjimet ato që ju mbajnë dëshirën për të fituar”.

“Çdo sezon ju kërkoni ndonjë sfidë të re dhe unë gjithnjë e kam gjetur atë me United. Nuk më priten sezonet e reja dhe unë gjithnjë kam qenë i kënaqur që kam luajtur për Unitedin, ndërsa United më mbajti mua. Unë kam qenë me fat që kam luajtur ndaj aq lojtarëve të mëdhenj dhe ndaj shumë ekipeve të mëdha. Unë kurrë nuk kam kërkuar të largohem. Duket se do të luaj vetëm për një klub gjatë gjithë karrierës”, ka thënë Giggs.

Diego: Nuk largohem nga Juventusi

Mesfushori kreativ i Juventusit, Diego, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se ai nuk ka ndërmend të largohet nga Olimpico i Torinos, duke mohuar drejtorin e Bayernit, Christian Nerlinger, se atij i është ofruar Diego nga tetë agjentë.
“Siç e dinë të gjithë, babai im kujdeset për kontratat e mia. Nëse agjentët e tjerë janë duke u ofruar klubeve shërbimet e mia, atëherë kjo nuk përfaqëson realitetin e fakteve”.

“Unë jam mirë te Juventusi dhe dua të vazhdoj qëndrimin këtu deri në fund të kontratës time. Një lojtar sikurse unë, kurrë nuk do t’ia ofronte veten klubeve të tjera. Unë jam i fokusuar në ekipin tim, Juventus. Dhe unë dua t’u japë tifozëve shumë kënaqësi”, deklaroi Diego.

Nuk ka oferta për Huntelaar

Sulmuesi i Milanit, Klaas-Jan Huntelaar, nuk do të kalojë në Ligën Premier pasi që mungojnë ofertat- ka thënë agjenti i tij Arnold Oosterveer.
“Unë kam lexuar shumë gjëra nëpër gazeta së fundmi, por nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk ka pasur oferta nga Liga Premier. Huntelaar dëshiron të qëndrojë te Milani”.

“Për më shumë, klubi nuk ka shfaqur kurrë interes për ta shitur atë”, ka thënë Oosterveer.

Del Piero synon sezon të suksesshëm

Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, ka ofruar guximin e tij para sezonit të ri, duke thënë se skuadra do të jetë e suksesshme.
“Synimi është që të rigjejmë veten si ekip pas asaj që ndodhi vitin e kaluar. Ne duhet të përfundojmë në mënyrë pozitive, të jemi krenarë me atë që kemi bërë dhe t’i bëjmë të lumtur tifozët tanë, ashtu si gjithë klubin”.

“Interi favorit? Po, për arsye të natyrshme”, deklaroi kapiteni legjendar për Sky Sport Italia.

Barcelona, Chelsea, Inter e Bayern- favoritët e bastoreve

Bastoret kanë filluar që të bëjnë kuotimet e tyre para fillimit të sezonit të ri nëpër kampionatet evropiane, ndërsa si favoritë kanë nxjerrë pikërisht skuadrat që kanë qenë triumfuese sezonin e kaluar.
Në Angli, Chelsea cilësohet favorit pasi që kuotohet me 2.62. Manchester United sipas bastoreve evropiane do të përfundojë në pozitën e dytë me kuotë 3.50, kurse në mënyrë befasuese, Manchester City kuotohet 6.0 si favorit i tretë për titull. 7.50 kuotohet Arsenali që sezonin e kaluar zuri vendin e tretë. Liverpooli ka koeficient 13.0, që sipas parashikimeve, nuk pritet të shkojë më lart se vendi i pestë.

Në Gjermani si zakonisht favorit është Bayerni që kuotohet 1.53, me konkurrent Schalken që shihet si cënuesi kryesor i bavarezëve me koeficient 8.50.

Në Itali, favorit është kush tjetër pos Interit që kuotohet me 2.10, përkundër trajnerit Rafa Benitez që gjatë gjashtë viteve te Liverpooli nuk e fitoi titullin e Ligës Premier. Pas Interit, tre skuadrat që kuotohen me 5.0, janë Roma, Juventusi dhe Milani, që pritet të jenë dhe sfidantët kryesorë të Nerazzurëve.

Në Spanjë sipas bastoreve titullin do ta vendosin rivalët e përbetuar, Real Madridi dhe Barcelona. Këta të fundit janë favoritë me 1.80, ndërsa Reali kuotohet si Interi, 2.10.

Se a do të dalin këto parashikime, mbetet të shihet në fund të sezonit të ardhshëm, por para kësaj, neve na mbetet që të kënaqemi me spektaklin që do të na ofrojnë skuadrat dhe lojtarët më të mirë të globit në kontinentin e vjetër.

Moratti: Capello nuk ka qenë kandidat

Bosi i Interit, Massimo Moratti, ka zbuluar se Fabio Capello nuk ka qenë kurrë kandidat serioz për të zëvendësuar Jose Mourinhon në stolin e kampionit të Evropës.
“Capello ishte hipotezë realiste që zgjati dy ditë e gjysmë, koha në fund të javës e cila mbaroi të hënën. Ai nuk ishte në garë me Benitezin, ishte realiste por në fund doli të mos ishte e tillë. Nuk preka asgjë, ishte një pyetje e cila e gjeti vetvetiu përgjigjen”.

“Benitez është një prej atyre trajnerëve që ka një tip të caktuar të përvojës në nivel ndërkombëtar, unë kam dëgjuar gjëra të mira për të dhe ne menjëherë e punësuam. Ne kemi shqyrtuar dhe alternativa tjera sepse ishte vendim i vështirë. Benitez është shumë profesional dhe punon shumë, ndërsa ka sistem të punës si Mourinho, duke studiuar lojën e kundërshtarëve. Benitez nuk këmbëngul për të transferuar ndonjë lojtar. Mourinho e bëri këtë me Quaresman, por ai dështoi dhe më pas nuk këmbënguli për asnjë lojtar”, u shpreh Moratti.

Roma e painteresuar në Behramin

Drejtori sportiv i Romës, Daniele Prade, ka pohuar se klubi romak nuk e ka ndërmend të bëjë ofertë për mesfushorin kosovar, Valon Behrami.
Mitrovicasi u spekulua të jetë nën radarin e Romës, pasi që këta të fundit edhe publikisht janë vënë në kërkim të një mesfushori, e që tani sipas Prades, Behrami nuk është i atij lloji të cilin Roma e kërkon dhe për këtë arsye nuk do të ketë as ofertë për West Hamin.

“Ai është lojtar i fortë, na pëlqen, por nuk kemi bërë ndonjë ofertë për West Hamin. Prioriteti ynë është një mbrojtës dhe një anësor i majtë, në pozitat tjera jemi në rregull”, theksoi Prade.

Milani fiton 60 milionë nga Fly Emirates

Milani pritet që të fitojë mbi 60 milionë euro nga marrëveshja me sponsorin e ri, Fly Emirates, njofton Il Giornale.
Sheikh Ahmed Bin Saeed Al Maktoum, kreu i kompanisë Fly Emirates, pritet që të takohet me Silvio Berlusconin në Milano të mërkurën dhe pritet që kompania arabe t’u garantojë Rossonerëve nga 15 milionë euro për stinor plus bonuset në rast të sukseseve në Serie A dhe Ligën e Kampionëve.

Sipas marrëveshjes, Milani do të duhet të udhëtojë në ndeshjet si mysafir në Ligën e Kampionëve me aeroplanin e kompanisë Fly Emirates. Milani do të përfitojë 5 milionë euro më shumë nga kjo marrëveshje se sa nga marrëveshja e kaluar e sponsorisimit.

Kërkesat e Maicon, pengojnë transferimin

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk mund të rezistojë më dhe e do përfundimisht Maiconin në Bernabeu, por kërkesat e brazilianit kanë bërë që marrëveshja të marrë kah tjetër.
Të martën La Gazzetta dello Sport pohoi se Interi kishte arritur marrëveshjen me Realin për një transferim prej 28 milionë euro. Por, përfundimi total i marrëveshjes është larg sipas Il Corriere dello Sport.

Duket se Maicon nuk është në disponim për të ulur kërkesat e tij për pagë vjetore prej 7 milionë euro. Ky qëndrim i Maicon është inkurajuar shumë edhe nga vetë agjenti Antonio Caliendo, që javë më parë e krahasoi klientin e tij me Kaka dhe Cristiano Ronaldon.

Por, njeriu që i ushqen familjet e lojtarëve të Realit, Florentino Perez, nuk ka ndërmend të heqë dorë nga oferta për pagë vjetore prej 5.5 milionë euro në sezon për brazilianin. Mourinho është i gatshëm të flasë me Florentinon dhe ta bindë atë që më në fund ta sjellë Maiconin në Bernabeu.